BDI-ja i përgjigjet VLEN-it: Ministeriali i OSBE-së në Shkup – Ngjarja më e madhe në historinë e RMV-së
Ministeriali i OSBE-së në Shkup – Ngjarja më e madhe dhe më e organizuar në historinë e vendit tonë.
Shpifjet e mbetjeve të Vlenit që kanë izoluar vendin nga bota dhe nuk kanë organizuar asnjë event ndërkombëtar më të vogël nuk kanë asnjë peshë.
Ministeriali i OSBE-së 2023 ishte ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme ndërkombëtare e organizuar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut një aktivitet që mblodhi ministra të jashtëm dhe delegacione nga e gjithë hapësira e OSBE-së, duke e vendosur vendin tonë në qendër të diplomacisë botërore për tre ditë.
Ishte një aktivitet i vlerësuar nga çdo partner dhe institucion ndërkombëtar, i përshkruar si i përkryer në organizim dhe si një moment që na bëri krenarë të gjithë qytetarët.
Të gjitha organet shtetërore përgjegjëse përfshirë ato të mbikëqyrjes kanë konfirmuar ligjshmërinë, transparencën dhe zbatimin shembullor të tij.
Përpjekjet e VLEN për të shpifur nuk janë gjë tjetër veçse keqdashje dhe xhelozi politike.
E vërteta është e thjeshtë:
Maqedonia e Veriut priti botën dhe realizoi një aktivitet që do të mbahet mend si triumf diplomatik dhe organizativ.
Ky sukses i takon qytetarëve, institucioneve dhe çdo personi që punoi me përkushtim për të treguar më të mirën e vendit tonë.
E kuptojmë se për ata që nuk kanë organizuar kurrë asgjë me vlerë ndërkombëtare, është më e lehtë të shpifin sesa të pranojnë realitetin.
Por faktet mbeten fakte dhe asnjë zhurmë politike nuk mund të fshijë një histori suksesi kombëtar.
Fushata e shpifjeve e VLEN nuk është sulm ndaj një personi është fyerje për çdo zyrtar, vullnetar e qytetar që kontribuoi që Ministeriali i OSBE-së të jetë burim krenarie për Maqedoninë e Veriut.
Akuza nga VLEN: Revizioni i Shtetit ka konfirmuar publikisht atë që qytetarët e dinë prej kohësh, se Ministria e Punëve të Jashtme, në një kohë kur Bujar Osmani ishte ministër, kreu tendera të paligjshëm në lidhje me organizimin e samitit të OSBE-së në vitin 2023.
Sipas raportit të revizionit:
Mbi 120 milionë denarë u shpenzuan pa të dhëna të qarta;
Nuk ka dokumentacion se çfarë saktësisht është dorëzuar, instaluar ose lënë si pajisje e përhershme në sallën Boris Trajkovski;
Kontratat dhe prokurimet publike u zbatuan pa transparencë dhe me mangësi serioze ligjore.
Ky është edhe një konfirmim se Bujar Osmani, kudo që shkon, lë pas tendera të dyshimtë dhe kriminale!
Ky nuk është një rast i izoluar, i njëjti Bujar Osmani dyshohej nga PSP për prokurime të dyshimta kur ishte Ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Nikolla Gruevskit.
Qytetarët e Çairit i dinë mirë dy gjëra për Bujar Osmanin:
Së pari, ai nuk ka bërë kurrë asgjë për Çairin, asnjë projekt të vetëm, asnjë investim të vetëm, asnjë iniciativë të vetme.
Së dyti, sa herë që ka qenë në detyrë, ai është shoqëruar me skandale, tendera të dyshimtë dhe keqpërdorim të fondeve publike!
VLEN pyet publikisht:
A është ky njeriu që duhet ta udhëheqë Çairin?
A e meriton Çairi të bëhet viktima e radhës e dorëshkrimit korruptiv të Bujar Osmanit?
Çairi meriton ndershmëri, zhvillim dhe llogaridhënie. Nuk meriton një njeri emri i të cilit përsëritet në çdo raport mbi krimin dhe abuzimin.














