Ali Ahmeti iu drejtohet maqedonasve me një porosi: Propaganda kundër shqiptarëve është mposhtur

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Gusht, 2025 13:17

Ali Ahmeti iu drejtohet maqedonasve me një porosi: Propaganda kundër shqiptarëve është mposhtur

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në 24-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, iu drejtua me një mesazh popullit maqedonas, duke kujtuar rrugëtimin politik dhe duke bërë thirrje për bashkim e respekt të ndërsjellë.

“Me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, me të cilin filluam të ndërtojmë së bashku një Maqedoni unitare dhe të barabartë, vendosa t’i drejtohem popullit maqedonas,” tha Ahmeti.

Ai kujtoi përvojat e tij në rini:

“Në vitet e gjimnazit kërkoja të drejta për popullin tim dhe u persekutova, duke u detyruar të largohem nga vendlindja dhe për mbi 20 vjet të veproj jashtë vendit. Mua dhe bashkatdhetarëve të mi na cënoheshte gjuha shqipe, flamuri kombëtar, e drejta për barazi, e drejta për të ekzistuar nga doktrina ‘Maqedonia e maqedonasve’.”

Duke folur për përkushtimin e tij ndaj vendit, ai theksoi:

“As atëherë e as sot nuk kam asnjë shtet rezervë. Nuk kam atdhe tjetër. Stërgjyshi dhe gjyshi im, babai dhe nëna ime prehen në Zajaz të Kërçovës.”

Ahmeti deklaroi se shqiptarët janë dhe mbeten të angazhuar për një Maqedoni të përbashkët:

“Dua të bëj një deklaratë pa ekuivoke dhe të qartë se unë dhe shqiptarët, dje, sot dhe nesër, angazhohemi për një Maqedoni unitare, të përbashkët dhe të barabartë, as timen përsëri, as tuajën përsëri, por gjithmonë Maqedoninë tonë.”

Ai akuzoi disa elita politike për mbjellje frike dhe ndarje etnike:

“Frika e rreme u mboll qëllimisht dhe rrejshëm dhe vazhdon t’u imponohet qytetarëve maqedonas për armiq inekzistent tek shqiptarët nga elitat politike me qëllim për të qeverisur duke abuzuar me frikën e imponuar dhe jo duke avokuar për një të ardhme të përbashkët.”

Duke kujtuar Marrëveshjen e Ohrit, Ahmeti tha:

“Me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ne shtrënguam duart, i dhamë fjalën dhe Besën njëri-tjetrit, se do të ndërtojmë një atdhe të përbashkët, të barabartë dhe euroatlantik.”

Ai zbuloi se i ishte ofruar ndarja e vendit, por nuk e kishte pranuar:

“Kryeministra dhe akademikë më ofruan ndarjen e Maqedonisë, nuk pranova.”

Lideri i BDI-së theksoi punën për integrimin euroatlantik dhe zhvillimin e vendit:

“Gjatë 24 viteve të fundit kemi punuar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, për të integruar vendin në NATO dhe BE, për të ndërtuar autostrada, universitete, spitale, kopshte, shkolla, institucione, për të marrë përgjegjësinë për shtetin e përbashkët dhe për të treguar se përfitimet më të mëdha nga barazia janë për qytetarët dhe vendin.”

Sipas tij, propaganda kundër të drejtave të shqiptarëve është rrëzuar nga realiteti:

“Sot, 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, është e qartë se e gjithë propaganda e mësipërme është mposhtur, Maqedonia ekziston, është anëtare e NATO-s dhe është e destinuar për një të ardhme evropiane për të cilën duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku.”

Në fund, Ahmeti shtriu dorën për bashkëpunim dhe mirëkuptim:

“Shqiptari asnjëherë nuk e ka kontestuar gjuhën dhe identitetin maqedonas… Kërkoj dhe pres që populli maqedonas të respektojë veçoritë e popullit tim dhe përfundimisht dhe pa paragjykime të kuptojë se nga barazia nuk humbet asgjë, përkundrazi fiton shumë.”
“Vetëm së bashku, me respekt të ndërsjellë, pa paragjykime dhe me përkushtim të sinqertë ndaj njëri-tjetrit, mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, që do të mbrojë vlerat evropiane.” Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Gusht, 2025 13:17
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.