Vrasja e 14-vjeçarit trondit Shqipërinë – Reagimi prekës i Luiz Ejllit
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Maliq, ku një konflikt mes dy adoleshentëve 14-vjeçarë ka përfunduar me vrasjen e njërit prej tyre, Erald Xhejo. Këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka reaguar publikisht me një mesazh të fortë reflektimi, duke ngritur alarmin për mënyrën si po edukohen fëmijët në shoqërinë shqiptare.
“Dy nëna që sot nuk dinë ku të gjejnë frymën dhe dy familje që nuk do të jenë më të njëjta. Këta fëmijë janë të uritur, mes dhunës, inatit, mungesës së dashurisë dhe mungesës së kujdesit. Shkollat flenë, prindërit nuk e kanë mendjen, shteti mbyll sytë, fëmijët po mbyten në dhunë,” – tha Ejlli në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.
Tetë persona janë arrestuar lidhur me ngjarjen, përfshirë autorin e dyshuar, babain dhe xhaxhain e tij, si dhe katër të mitur që tentuan të pengonin hetimin. Policia ka sekuestruar mjetin prerës (thikën), automjetin e përdorur për largim dhe pesë celularë.
Ejlli e cilësoi këtë si një pasqyrë të shoqërisë që kemi ndërtuar, ku dashuria është opsionale dhe konfliktet zgjidhen me gjak. Ai i bëri thirrje prindërve, shkollave dhe shtetit që të mos heshtin më, sepse “nëse sot nuk çohemi, nesër e ka radhën ai tjetri.”
Flaka
















