Arbër Ademi: Sulmet mbi Marrëveshjen e Ohrit, atentat mbi barazinë dhe stabilitetin e vendit
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, në një konferencë për media akuzoi qeverinë aktuale dhe partnerët e saj për, siç tha, “tentativë të përsëritur për atentat mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe themelet kushtetuese të barazisë”.
“Sot jemi këtu sepse padrejtësitë po përsëriten dhe themelet e Marrëveshjes së Ohrit po sulmohen hapur. Nga Balancuesi te Badenteri, kjo që po ndodh është atentat i sërishëm mbi Marrëveshjen e Ohrit,” theksoi Ademi.
Ai kritikoi deklaratat e përfaqësuesve qeveritarë për “rishikimin” e shumicës së Badenterit, duke i cilësuar ato si pjesë e një skenari të qëllimshëm.
“Deklaratat e përsëritura të përfaqësuesve të qeverisë për rishikimin e shumicës së Badenterit nuk janë lapsus politik; janë pjesë e një skenari për atentat mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe themelet kushtetuese që garantojnë barazi dhe stabilitet në vend,” tha ai.
Ademi kujtoi disa hapa të qeverisë që, sipas tij, cenojnë drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve:
- “Shfuqizuan Balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.”
- “Nuk respektojnë ligjin për gjuhët, duke lejuar mbi 100 institucione ta injorojnë gjuhën shqipe.”
- “Ulnë padrejtësisht numrin e këshilltarëve në komuna, në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”
- “Fshinë diasporën shqiptare nga përfaqësimi politik.”
- “Ia dorëzuan implementimin e Marrëveshjes së Ohrit figurave antishqiptare e antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç.”
Sipas tij, këto veprime janë pjesë e një plani për të dobësuar mekanizmat mbrojtës të barazisë në shtet.
“Fillimisht nuk respektuan vullnetin politik të shqiptarëve, pastaj ndaluan flamurin kombëtar, më pas sulmuan gjuhën shqipe dhe Balancuesin. Tani duan të heqin edhe votimin me Badenter,” deklaroi ai.
Ademi akuzoi koalicionin VLEN për, siç tha, “mbijetesë me arsyetime boshe”.
“Në vend që të përmbushë premtimin se ‘nuk ka qeveri pa ndryshime kushtetuese’, VLEN po mbijeton duke relativizuar politikat e dëmshme dhe duke mbuluar politikat etnocentriste. Kolltuku dhe mbijetesa politike janë vënë mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe integrimin europian,” shtoi ai.
Në përfundim, Ademi paralajmëroi se përballë rrezikut për kthim mbrapa, vendimtar do të jetë verdikti i qytetarëve më 19 tetor.
“Po përballemi me një rrezik të madh që synon ta kthejë vendin mbrapa. Por këtë rrezik do ta ndalë vota e qytetarëve. Më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë se barazia nuk negociohet dhe Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet,” u shpreh ai. Flaka
















