BDI: Mexhiti e braktisi Çairin, tani kërkon të kthehet për interesa personale
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj kandidatit të koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, duke e akuzuar se ka braktisur këtë komunë pas tre mandateve qeverisje dhe është shpërngulur në Butel.
“Kandidati i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në të gjitha paraqitjet e tij publike pretendon se e do Çairin. Por le të jemi të sinqertë: nëse e do vërtetë këtë komunë, pse e la atë pas tre mandateve qeverisje dhe u shpërngul në Butel? Përgjigjja është e qartë – dashuria e tij për Çairin nuk ka qenë kurrë reale; ishte dashuri interesi, e drejtuar vetëm nga përfitimet personale dhe ambiciet politike,” theksohet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti pretendojnë se Mexhiti ka banesën në rrugën “Ljuba Ivanoviq” në Komunën e Butelit.
“Faktin e braktisjes së komunës të cilën ai e quan ‘diamant’ nuk mund ta mohojë as Izet Mexhiti e as bashkëpunëtorët e tij. Çairi ishte vetëm një minierë për diamante për të,” thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, banimi në një vend nuk është vetëm një adresë formale, por edhe pjesëmarrje aktive dhe jetë e përbashkët me qytetarët.
“Çairi nuk ka nevojë për dikë që i përdor rrugët dhe lagjet e tij si trampolinë politike. Banimi në një vend nuk është vetëm një adresë – është pjesëmarrje, është përditshmëri, është lidhja me njerëzit që pretendohet t’i përfaqësosh,” thotë BDI.
Ata shtojnë se jo vetëm Mexhiti, por edhe një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij të afërt janë shpërngulur nga Çairi në Butel.
“Izet Mexhiti ka zgjedhur të mos jetë pjesë e jetës së përditshme të Çairit dhe kjo tregon shumë më shumë se çdo fjalë e tij: prioriteti i tij është vetja dhe klika e tij, jo qytetarët,” theksohet më tej.
Në fund, BDI u bën thirrje qytetarëve të Çairit që të mos e votojnë Mexhitin.
“Çairi meriton një kryetar që është këtu me ne, që nuk e braktis komunën pas mandateve të qeverisjes për të ndjekur interesat e tij personale. Çairi meriton një kryetar që respekton realisht njerëzit dhe punën për komunën. Pyetni veten: a është kandidati që e ka braktisur komunitetin për interesa personale ai që meriton sërish të udhëheqë tani?”, përfundon reagimi i BDI-së. Flaka
















