Aksidenti fatal në Gostivar – Identifikohet 18-vjeçari që humbi jetën
Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në hyrje të qytetit të Gostivarit, përkatësisht në bulevardin kryesor të qytetit, njofton Flaka.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë, ndërsa përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e motoçikletës. Viktima ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të rënda.
Ende jo zyrtarisht, bëhet fjalë për të riun Agon Baka, i lindur më 17.05.2007. Sipas burimeve të para jozyrtare, ai humbi jetën në vend, ndërsa ekipi i autoambulancës vetëm ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë ekipi i policisë, autoambulanca dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar. Çdo moment, pritet që Policia të dalë me informacione zyrtare lidhur me aksidentin dhe identitetin e viktimës.
Për shkak të ekspertizës që u zhvillua në terren, pjesa e rrugës ku ndodhi përplasja u bllokua për disa orë.
Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik po vazhdojnë. Redaksia Flaka shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Baka nga Gostivari. Flaka
















