Arbenita Ismajli reagon pas urdhër-arrestit
Modelja shqiptare Arbenita Ismajli ka reaguar për herë të parë pas lajmit se Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj saj. Në një video të postuar në rrjetet sociale, Arbenita shihet në makinë, me një këngë të Rihannas në sfond, duke shfaqur një qasje të qetë dhe të distancuar ndaj situatës.
“E di çdo tekst këngësh të Rihannas fjalë për fjalë,” – ka shkruar ajo në mbishkrimin e videos, duke lënë të kuptohet se nuk po e humb qetësinë pavarësisht ngarkesës mediatike dhe ligjore.
Gjykata e Gjilanit, përmes zyrtarit Sabit Shkodra, konfirmoi se urdhër-arresti është lëshuar në përputhje me kompetencat ligjore, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, e cila ka nisur hetimet ndaj Ismajlit në qershor 2025.
Sipas aktvendimit, Arbenita dyshohet se nuk ka zbatuar një vendim gjykate që i jepte të drejtën ish-partnerit të saj, reperit Feronit Shabani (Fero), të takonte vajzën e tyre dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan. Prokuroria pretendon se modelja ka larguar vajzën nga Kosova dhe ka qëndruar me të në vende të ndryshme të Evropës, duke pamundësuar kontaktin me babain biologjik.
Flaka
















