ASH akuzon VLEN për mashtrim: Nxënësit e Nerovës vazhdojnë mësimin në godinën e vjetër – Reagon edhe Sefer Selimi
Aleanca për Shqiptarët, përmes një komunikate, ka reaguar ashpër për fillimin e vitit shkollor në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës. Nga ASH theksojnë se nxënësit shqiptarë nuk e kanë nisur vitin në objektin e ri shkollor, por janë detyruar të vijojnë mësimin në godinën e vjetër, të cilën e quajnë të papërshtatshme dhe të rrezikshme.
“Pavarësisht premtimeve publike nga përfaqësues të grupacionit VLEN, nxënësit shqiptarë të fshatit Nerovë në Komunën e Krushevës nuk e kanë nisur vitin e ri shkollor në objektin e ri shkollor, por janë detyruar të vazhdojnë mësimin në godinën e vjetër. Kjo është edhe një dëshmi tjetër e dështimeve të njëpasnjëshme të VLEN-it, i cili, në vend që të punojë për zgjidhjen reale të problemeve jetike të qytetarëve shqiptarë, vazhdon të bëjë politikë me premtime të pambajtura dhe propagandë boshe”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Në këtë komunikatë, Aleanca kritikon edhe sjelljen ndaj ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani.
“Edhe më shqetësues është fakti se ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Denion Meidani, u përball me sharje dhe fyerje nga eksponentë të lartë të grupacionit VLEN, vetëm pse ngriti shqetësimin për këtë çështje. ASH kërkon llogari të qartë dhe publike nga përgjegjësit institucionalë dhe politikë për këtë skandal dhe paralajmëron se nuk do të lejojmë që fëmijët shqiptarë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.”
Në fund, nga kjo parti theksojnë:
“Nxënësit e Nerovës meritojnë kushte dinjitoze për mësim, jo mashtrime para kamerave. Mjaft më me premtime boshe – është koha për veprim konkret dhe përgjegjësi!”
Ndërkohë, për këtë situatë ka reaguar edhe analisti Sefer Selimi, i cili theksoi mungesën e përgjegjësisë së qeverisë dhe partive shqiptare pjesë e saj.
“Kollaj është të premtohet, por vështirë është të mbash fjalën kur ti nuk ke peshë! U ngritën në këmbë i madh e i vogël brenda partive shqiptare në qeverinë e Mickoskit për ta kritikuar ambasadorin e Shqipërisë Denion Meidani, pse u angazhua institucionalisht për këta fëmijë shqiptar. Tash? Heshtje…”, u shpreh Selimi. Flaka
















