ASH: Diskriminim sistematik ndaj arsimit shqip – Koha për drejtësi dhe reforma gjithëpërfshirëse
Në një konferencë për media të mbajtur sot, përfaqësuesja e Aleancës për Shqiptarët, Belinda Amiti, ngriti alarmin për, siç e quajti ajo, diskriminimin sistematik ndaj institucioneve arsimore shqiptare dhe përjashtimin e qëllimshëm të tyre nga zhvillimi strategjik dhe fondet shtetërore.
“Fëmijët tanë meritojnë një sistem arsimor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe me mundësi të barabarta për të gjithë – pa dallim etnie, gjuhe apo përkatësie institucionale,” deklaroi Amiti, duke theksuar se realiteti aktual është i kundërt me këtë vizion.
Fondet ndahen vetëm për institucionet maqedonase
Amiti prezantoi të dhëna konkrete nga shpërndarja e fondeve publike për vitin 2025:
- Asnjë projekt nuk është ndarë për Universitetin e Tetovës apo Universitetin “Nënë Tereza”.
- Nga 30.4 milion denarë për projekte me interes publik, 5 shkuan për universitete maqedonase – 0 për shqiptare.
- Nga 23.7 milion denarë për institutet shkencore, vetëm një projekt është financuar për Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, me një shumë prej vetëm 2.9 milion denarë.
“Ky është një diskriminim i hapur dhe i qëllimshëm ndaj universiteteve shqiptare. Këto janë politika të përjashtimit dhe jo të zhvillimit të përbashkët,” tha ajo.
Reformat në arsim – të centralizuara dhe të dështueshme
Amiti kritikoi gjithashtu mënyrën se si po implementohen reformat arsimore, duke i quajtur ato “të nxituara, të centralizuara dhe pa përfshirjen e komuniteteve të prekura”.
“Në vend të planifikimit serioz, sistemi ynë arsimor ka përqafuar reforma që ndryshojnë me çdo rotacion politik. Mësuesit dhe nxënësit janë lënë të përballen me konfuzion dhe mungesë drejtimi,” theksoi ajo.
Inteligjenca artificiale – rrezik për mësimdhënien
Në lidhje me përpjekjet e fundit të Qeverisë për të futur inteligjencën artificiale (IA) në shkolla, Amiti shprehu shqetësime serioze për mungesën e strategjisë dhe përzgjedhjen e dyshimtë të kompanisë Brainster.
“Nuk kemi asnjë pilot-projekt, asnjë kornizë etike, dhe asnjë diskutim me profesionistët e arsimit. Kujt i shërben kjo nismë kaq e shpejtuar?” pyeti ajo.
Ajo theksoi se studime ndërkombëtare paralajmërojnë se përdorimi i IA për detyra shkollore:
- Ul aftësitë analitike
- Ul aktivitetin neuro-kognitiv deri në 47%
- Ndikon negativisht në përvetësimin afatgjatë të dijes
Kërkesa e Aleancës për Shqiptarët
Në përmbyllje, Amiti përsëriti kërkesat konkrete të Aleancës për Shqiptarët:
- Financim të drejtë për të gjitha universitetet dhe shkollat publike, pa diskriminim etnik.
- Rishikim të reformave me përfshirje të komunitetit akademik shqiptar dhe të gjitha bashkësive.
- Krijimin e një Komisioni të Pavarur për vlerësimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në arsim.
“Arsimi është baza e shoqërisë sonë. Nuk mund të ndërtojmë të ardhme me themele të kalbura. Është koha për drejtësi, për përgjegjësi dhe për arsim që i shërben të gjithë qytetarëve,” përfundoi Amiti. Flaka
















