ASH reagon pas vendimeve të Azir Aliut: Fillimi i mandatit me spastrim etnik në Komisionin për Diabetin
Pas lajmit të publikuar në Flaka, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, duke e akuzuar ministrin e ri Azir Aliu për veprime që minojnë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Reagimi vjen menjëherë pas publikimit të lajmit nga “Flaka”, ku zbulohet se vendimi i parë simbolik i ministrit Aliu ka qenë suspendimi i faqes zyrtare të Aleancës për Shqiptarët, një akt që interpretohet si shkëputje nga partia që e solli në pushtet dhe si orientim i tij i ri politik nën ndikimin e VMRO-DPMNE-së.
ASH thekson se kjo linjë politike vërtetohet edhe nga vendimi për ndryshimin e përbërjes së Komisionit Kombëtar për Diabetin, ku bie në sy zhvendosja etnike: ish-kryetari shqiptar Dr. Taner Hasan është zëvendësuar me Dr. Ivica Smilkovski, maqedonas, ndërsa në përbërje është shtuar edhe një anëtar maqedonas tjetër, duke reduktuar në minimum përfaqësimin shqiptar.
“Ky nuk është thjesht një vendim profesional apo administrativ – është një vendim politik, që dëshmon për nënshtrimin e plotë të përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë aktuale ndaj partnerëve maqedonas,” thuhet në reagimin e ASH.
Sipas Aleancës, çdo gjë që ndërtoi Arben Taravari si ministër, në drejtim të përfaqësimit të drejtë dhe profesional të shqiptarëve në sistemin shëndetësor, po rrënohet që në ditët e para të mandatit të Azir Aliut, i cili, sipas tyre, “ka ardhur në detyrë me miratimin e Hristijan Mickoskit”.
ASH paralajmëron se vendime të tilla të njëanshme minojnë kohezionin ndëretnik, besimin e qytetarëve dhe funksionimin e drejtë të shtetit, duke theksuar rëndësinë jetike të përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në të gjitha strukturat shtetërore. Flaka Media
Dokumente të dërguara nga Aleanca për Shqiptarët



















