ASH vë në sprovë Mexhitin: Sa shqiptarë janë punësuar nga 12 mijë vende sa deklaroi Mickoski?
Në të njëjtën ditë kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e drejtuar nga VMRO-DPMNE, miratoi Propozim-Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, institucionet shtetërore vazhduan të zbatojnë praktika përjashtuese ndaj qytetarëve shqiptarë.
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me tone të ashpra duke theksuar se ligji i shumëpropaganduar, i hartuar nga Tanja Karakamisheva-Jovanovska, është në fakt një mjegullim politik, ndërkohë që diskriminimi ndodh hapur e pa maskë.
“23 punësime për maqedonas, 0 për shqiptarë”
Nëpërmjet Agjencisë për Administratë, Fondi Pensional dhe Invalidor i RMV-së ka shpallur konkurse për 23 vende pune – të gjitha në rajonin lindor të vendit, ku nuk jeton asnjë shqiptar. Sipas ASH, ky është shembulli më i qartë i realitetit që fshehet pas konceptit të “përfaqësimit adekuat” në versionin e ri ligjor.
“Kjo praktikë përjashtuese është shembulli më i qartë i asaj që nënkupton ‘përfaqësim i drejtë’ në versionin e ligjit të Karakamishevës: 23 punësime për maqedonas, 0 për shqiptarë.” – thuhet në reagimin zyrtar të Aleancës.
“Merita” me standarde të dyfishta
Aleanca denoncon gjithashtu edhe një konkurs të brendshëm në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, ku sipas të dhënave, nga nëntë avansime, tetë i takojnë maqedonasve dhe vetëm një shqiptar.
“Edhe ky është shembull konkret se si zbatohet ‘merita’ në administratën e re – për maqedonasit, avancim sistematik; për shqiptarët, statist role.” – thuhet në deklaratë.
Pyetje publike për Mexhitin dhe VLEN-in
Aleanca i drejtohet me një pyetje publike liderit të VLEN-it, Izet Mexhiti, duke kërkuar transparencë mbi përbërjen etnike të punësimeve të reja.
“E pyesim publikisht liderin e VLEN-it, Izet Mexhiti: Nga këto 12 mijë punësime që u lavdërua Hristijan Mickoski në TVM1, sa janë shqiptarë? Apo ndoshta për këtë informacion duhet të kërkojë leje nga shefi i tij, Hristijan Mickoski?”
“Ky nuk është përfaqësim. Kjo është dorëzim.”
Sipas Aleancës për Shqiptarët, dinamika aktuale e konkurseve dhe avancimeve është një dëshmi e gjallë se ligji i ri nuk garanton as barazi simbolike, e lëre më funksionale.
“Sipas këtij ritmi, shqiptarët po përshëndeten nga administrata shtetërore. Ky proces i përjashtimit sistematik po zhvillohet në emër të një ligji që e zhvesh përfaqësimin nga çdo kuptim real.”
Thirrje për një ligj të ri, gjithëpërfshirës
Në fund, Aleanca thekson nevojën për një ligj të ri dhe funksional, të hartuar me pjesëmarrjen reale të shqiptarëve dhe ekspertëve të komuniteteve, larg makijazheve politike dhe manipulimeve.
“Ky nuk është përfaqësim. Kjo është dorëzim. Dhe Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë kësaj padrejtësie.” Flaka Media
















