BDI: Bilalli si Visari – në Tetovë dhe Çair lulëzojnë ndërtimet pa leje dhe legalizimet korruptive
Një raport investigativ i publikuar nga BIRN Maqedoni ka nxjerrë në pah një skemë të dyshimtë dhe të mirëorganizuar ndërmjet strukturave të mafias urbane dhe Komunës së Tetovës, duke zbuluar raste të shumta të ndërtimeve pa leje dhe manipulimeve me planet urbanistike në zemër të qytetit, transmeton Flaka
Sipas raportit, në disa nga pikat më të frekuentuara të qytetit janë ndërtuar objekte shumëkatëshe në kundërshtim të plotë me planet ekzistuese urbanistike. Ja disa nga faktet e dokumentuara nga BIRN:
- 🏢 Në një parcelë ku plani urbanistik parashihte ndërtim 4-katësh, është ndërtuar objekt 8-katësh.
- 🏗️ Në një rast tjetër, vetëm 100 metra larg, ndërtesa e planifikuar si 6-katësh ka përfunduar si 8-katësh.
- 📂 Janë identifikuar shtatë raste ku ndërtimet kanë filluar menjëherë me më shumë kate sesa të lejuara, për të cilat më pas janë nisur procedura për ndryshimin e planeve urbanistike, me qëllim legalizimin e jashtëligjshëm.
- 💰 Vetë investitorët, në shumë raste, kanë qenë inicuesit e ndryshimeve në planet urbanistike (DPU), të cilat janë përshtatur në mënyrë të dyshimtë për të përfituar financiarisht.
Po ashtu, nga dokumentet zyrtare të Komunës së Tetovës, rezulton se vetëm 400 legalizime janë miratuar nga Këshilli Komunal në periudhën 2021–2025, që përfaqësojnë vetëm 20% të rasteve reale, ndërsa pjesa tjetër janë realizuar jashtë çdo plani urbanistik të miratuar, përmes rrugëve të dyshimta.
Skema e njëjtë edhe në Komunën e Çairit
Të njëjtat praktika të ndërtimeve pa leje dhe tentativave për legalizim të jashtëligjshëm janë evidentuar edhe në Komunën e Çairit, që drejtohet nga Visar Ganiu. Vetë Kryetarja e Qytetit të Shkupit, në një dalje në terren, ka evidentuar mbi 150 ndërtime pa leje në pronë shtetërore, për të cilat pretendohet se po bëhen përpjekje për t’u legalizuar në mënyrë të kundërligjshme.
Legalizimet, propagandë politike?
Në këtë sfond shqetësues, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së fundmi ka organizuar një ceremoni publike për ndarjen e vendimeve të legalizimeve, duke e shndërruar një obligim ligjor në instrument për fushatë politike. Shfaqja publike me qytetarët në media është cilësuar nga shumë qytetarë si nënçmim i të drejtës së tyre ligjore dhe një formë e shfrytëzimit politik të qytetarëve në emër të legalizimeve.
Mesazh për qytetarët
Përfaqësues të BDI-së në Tetovë kanë reaguar ndaj zhvillimeve duke theksuar se legalizimi nuk është privilegj, por e drejtë ligjore e çdo qytetari. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të mos bien pre e propagandës dhe të mos lejojnë që e drejta e tyre të përdoret për qëllime elektorale.
📝 “Legalizimi i pronave nuk është shpërblim, por një e drejtë e garantuar me ligj! Mos lejoni që ajo që ju takon me ligj të përdoret për propagandë politike.” – thuhet në reagimin e degës lokale të BDI-së në Tetovë. Flaka
















