BDI: Nga yll i rajonit në faktor izolimi , 7 vite nga Prespa
Shtatë vite më parë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë përfaqësonte një moment historik për shtetin, duke i hapur dyert për anëtarësimin në NATO dhe duke vendosur vendin në një kurs të qartë euroatlantik, transmeton Flaka
“Ishte një akt vizioni dhe guximi shtetëror, që jo vetëm hapi rrugën për anëtarësim në NATO, por e vendosi vendin në anën e duhur të historisë, në zemër të komunitetit euroatlantik,” thekson Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një deklaratë për opinionin publik.
Sipas BDI-së, Prespa e shndërroi Maqedoninë e Veriut në shembull rajonal për zgjidhjen paqësore të çështjeve të ndërlikuara përmes diplomacisë dhe dialogut, duke e forcuar pozitën e vendit si faktor stabiliteti në Ballkan.
Megjithatë, sot, BDI ngre alarmin për një zhvlerësim të rëndë të këtij kapitali diplomatik dhe politik.
“Qeveria, e cila duhet të jetë garant i orientimit euroatlantik të vendit, po shndërrohet në një kërcënim nga brenda. Narrativat ruse mbrohen nga funksionarë qeveritarë, votohet kundër Ukrainës, Dodik pritet si mysafir nderi, ndërsa Marrëveshja e Ohrit tash një vit është objekt i një agresioni sistematik,” thuhet në deklaratë.
BDI shpreh shqetësim të thellë për faktin se perspektiva evropiane është ngrirë, qytetarët ndihen të zhgënjyer dhe të demotivuar, ndërsa vendi përballet me një ikje masive të të rinjve dhe trurit intelektual, që po kërkojnë rrugë drejt Perëndimit përmes nënshtetësive të tjera.
“Prespa dhe Marrëveshja e Ohrit nuk ishin vetëm kompromise, ishin një zgjedhje për të ardhmen. E sot, sërish duhet të zgjedhim: A do të lejojmë që kjo gjeneratë të jetë gjenerata e mohimit, apo do të bëhemi zëri që mbron të ardhmen evropiane?” apelon BDI.
Në deklaratën e saj, BDI veçon edhe roli e mbetjeve të koalicionit VLEN, të cilët, sipas partisë, kanë braktisur vlerat thelbësore të shqiptarëve: evropianizimin, barazinë dhe pjekurinë demokratike.
“Veçanërisht shqetësuese është roli i mbetjeve të VLEN-it, të cilët i tradhtuan vlerat themelore që i kanë përfaqësuar shqiptarët për dekada… Në vend që të jenë zëri i përparimit, ata u shndërruan në një mjet manipulimi, duke legjitimuar politika që në thelb e rrënojnë orientimin pro-evropian të shtetit,” thuhet në kumtesë.
BDI e përmbyll reagimin duke theksuar se kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një betejë për të ardhmen dhe për identitetin strategjik të shtetit.
“Doli në pah natyra e vërtetë e këtyre strukturave politike: ato nuk janë forca evropiane, janë lojtarë të përkohshëm në shërbim të agjendave anti-evropiane.”
BDI bën thirrje për një mobilizim qytetar dhe institucional për ta mbrojtur rrugën drejt BE-së dhe për të ruajtur orientimin euroatlantik si interes strategjik të gjithë shoqërisë. Flaka Media
















