BDI ngre alarmin: Shqiptarët po përjashtohen – në Agjencinë për Siguri Kombëtare raporti është 40:1
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, duke theksuar se rasti më i freskët është ai i Agjencisë për Siguri Kombëtare, ku sipas të dhënave zyrtare, nga 41 të punësuar, vetëm një është shqiptar, transmeton Flaka
“Ky diskriminim i hapur nuk është më thjesht shqetësim politik, është një goditje ndaj barazisë dhe karakterit multietnik të shtetit”, thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.
Partia thekson se të gjitha të dhënat e bëra publike për punësimet dhe avancimet janë zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucionet, ndaj, siç thuhet më tej, “as shpifjet, as përpjekjet për defokusim nuk mund ta mbulojnë të vërtetën që tashmë është e qartë për të gjithë: shqiptarët po përjashtohen”.
BDI shpreh shqetësimin se, ndërkohë që shqiptarët po diskriminohen, “subjektet që mbajnë krahun e VMRO-DPMNE-së heshtin ose jetojnë në një univers paralel”, duke refuzuar të përballen me realitetin.
“Kjo qasje naive dhe aventuriere, përveçse nuk prodhon asgjë për shqiptarët, tregon qartë se janë të kapur dhe të pajtuar me logjikën përjashtuese të mentorëve të tyre politikë”, thuhet më tej në deklaratë.
Në fund, BDI rikujton se pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore është një e drejtë kushtetuese, jo privilegj, dhe se ajo nuk mund të negociohet as të injorohet.
“Shqiptarët nuk do të heshtin dhe as nuk do të dorëzohen,” përfundon deklarata e BDI-së. Flaka
















