BDI: Shuplakë e fortë nga Brukseli: Maqedonia e Veriut, laborator i ndikimeve të “botës serbe”, të Rusisë e Kinës
Raporti i fundit i eurodeputetit Tomas Vajc në Parlamentin Evropian përfaqëson një aktakuzë të ashpër ndaj drejtimit aktual të Maqedonisë së Veriut, nën qeverisjen e koalicionit ZNAM–VMRO–VLEN. Sipas raportit, vendi është kthyer në terren të lirë për propagandën ruse, ndikimin e errët ekonomik kinez dhe infiltrimin politik të “botës serbe”, me ndërmjetësimin aktiv të Hungarisë dhe Serbisë.
BDI, që prej muajsh paralajmëron për këtë rrezik, konstaton që ky është rezultati kur pushteti i dorëzohet axhendave të huaja, ndërsa braktisen partnerët më të rëndësishëm të shtetit – Bashkimi Evropian dhe NATO.”
Raporti i Vajcit ngre alarmin për rrjete të vjetra të shërbimeve sekrete të infiltruar në institucionet e vendit, ndërsa akuzon qeverinë për heshtje dhe pasivitet ndaj këtyre zhvillimeve.
BDI thekson se rruga që po ndjek kjo qeveri është rruga e izolimit, e kapjes institucionale dhe e minimit të rendit demokratik.
Partia rithekson se e ardhmja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut qëndron vetëm në integrimin evropian, me institucione të forta dhe paqe të qëndrueshme – dhe jo në varësinë nga Lindja autoritare. Flaka
















