BDI: Përjashtimi sistematik i shqiptarëve në Ministrinë e Sportit: 15:0
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj praktikave të fundit të punësimit në Ministrinë e sapokrijuar të Sportit në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ato si flagrante shkelje të përfaqësimit të drejtë dhe të obligimeve kushtetuese, transmeton Flaka
Sipas BDI-së, nga gjithsej 50 persona të punësuar aktualisht në këtë institucion, vetëm 4 janë shqiptarë, ndërkohë që asnjë nga drejtuesit e sektorëve nuk është shqiptar. Alarmin e radhës e ngre raundi më i fundit i punësimeve, ku janë pranuar 15 persona të rinj – pa asnjë shqiptar në mesin e tyre.
“Ky nuk është rast i izoluar, por pjesë e një modeli sistematik përjashtues që minon frymën dhe shkronjën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së vendit,” – thuhet në reagimin e BDI-së.
Veçanërisht shqetësues, sipas kësaj partie, është fakti që diskriminimi ndodh në një institucion të sapoformuar – një rast i artë për të ndërtuar një administratë të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, që, sipas tyre, është shpërdoruar që në fillim.
BDI paralajmëron se do të kërkojë përgjegjësi ligjore dhe politike ndaj të gjithë atyre që përjashtojnë shqiptarët nga institucionet shtetërore, por edhe ndaj atyre që, sipas saj, “po i legjitimojnë këto praktika diskriminuese”.
“Shqiptarët nuk do të pranojnë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Përfaqësimi i drejtë nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe element themelor i paqes dhe stabilitetit në vend,” përfundon reagimi i BDI-së. Flaka
















