Besar Durmishi takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të ILO-së, z. Gilbert Houngbo
Ministri i Ekonomisë dhe Punës zhvilloi një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), z. Gilbert Houngbo, ku u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe ILO-së, transmeton Flaka Media
Gjatë takimit, ministri prezantoi reformat në vijim në fushën e punës, përfshirë përgatitjen e pesë ligjeve të reja, fillimin e një projekti të ri për promovimin e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, si dhe përparimin në zbatimin e Garancisë Rinore. Po ashtu, u theksua edhe funksionimi aktiv i Këshillit Socio Ekonomik.
Në takim u diskutua edhe për angazhimin e vendit në zbatimin e Konventës 190 të ILO-së, që synon eliminimin e dhunës dhe ngacmimeve në vendin e punës. Ndër prioritetet e tjera u përmendën migrimi i fuqisë punëtore, barazia gjinore, puna në platforma digjitale, krijimi i vendeve të gjelbra të punës dhe mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit me ILO-n dhe përparimit të agjendës së punës dhe mirëqenies sociale në vend. Flaka Media
















