Besëlidhja shënon 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit – Ahmeti: Pa shqiptarët nuk ka shtet stabil
Në ambientet e hotelit “Aleksandar Palace” në Shkup, Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, organizoi një Akademi Solemne me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, foli për situatën aktuale politike në vend, duke bërë thirrje të drejtpërdrejtë për procesin e vetingut në politikë.
“Nëse jeni burra, e politikanë të ndershëm, ejani të bëjmë veting dhe mos ledhatoni puthadorët,” deklaroi Ahmeti.
Ai theksoi rolin kyç të shqiptarëve në stabilitetin e Maqedonisë së Veriut:
“Pa shqiptarët, nuk mund të ketë shtet stabil, të qëndrueshëm dhe me një perspektivë që mund të ndërtojë të ardhmen. Sigurisht, që edhe komunitetet tjera kanë vendin e tyre, por përgjegjësinë morale dhe kombëtare e kanë dy komunitetet më të mëdha.”
Ahmeti kritikoi qasjen politike të varësisë nga “vazalët” dhe “argatët”, duke përmendur teorinë e Çebrolloviqit:
“Me vazalë nuk mbahet dhe nuk qeveriset shteti. Me argatë, e hyzmetqarë, vetëm që e lëndon dhe nuk i bën mirë shtetit.”
Lideri i BDI-së përmbylli fjalën e tij duke theksuar se partia e tij mbetet e përkushtuar për paqen dhe dialogun si rrugë për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.
















