Çka tha Mickoski në ndarjen e çmimeve për sportistët e dalluar!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me Ministrin e Sportit Borko Ristovski, ndau sot 22 mirënjohje kombëtare për sportistët e dalluar, në një ceremoni solemne të zhvilluar në Shkup.
Në fjalimin e tij, Mickoski theksoi se ky akt nuk është thjesht një formalitet, por një shprehje konkrete dhe e përhershme respekti për ata që e kanë nderuar shtetin me arritje në sport, si në garat vendore ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
“Sot nuk flasim vetëm për sportin. Flasim për sakrificën, këmbënguljen dhe dashurinë ndaj atdheut. Sot po e korrigjojmë shtetin para ambasadorëve të tij më krenarë – sportistëve tanë,” – tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se vlerësimi i sportistëve nuk duhet të kufizohet vetëm në momente të euforisë pas fitoreve, por të bëhet pjesë e një sistemi të qëndrueshëm vlerash, ku puna dhe suksesi të njihen në mënyrë të vazhdueshme.
“Një shtet që nuk i vlerëson heronjtë e tij, ngadalë e humb shpirtin e tij,” – u shpreh ai.
Ai vlerësoi se këto mirënjohje janë vetëm fillimi i një politike të re, që synon të ndërtojë një ambient më të favorshëm për zhvillimin e sportit, duke përfshirë investime në infrastrukturë, mbështetje për talentet e rinj dhe krijimin e një mekanizmi të drejtë shpërblimi dhe vlerësimi.
“Me këtë çmim u themi të rinjve: Maqedonia do të jetë këtu për ju. Do t’ju njohë, do t’ju mbështesë dhe do t’ju shpërblejë.”
Në përfundim të fjalës së tij, Mickoski premtoi se Qeveria do të vazhdojë të investojë në sport “jo vetëm me infrastrukturë, por edhe me respekt dhe sistem të qëndrueshëm vlerësimi”. Flaka Media
















