“Danella Arsovska i shkruan ambasadorit të BE-së: Në Maqedoni, mafia ka shtetin e vet!”
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, i është drejtuar me një letër të hapur ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, z. Mihalis Rokas, në prag të Samitit BE – Ballkani Perëndimor që po mbahet në Shkup, ku mysafire është edhe eurokomisionerja për zgjerim, Marta Kos, transmeton Flaka.
Në letrën e saj, Arsovska shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin e thellë për, siç thotë ajo, mungesën e mbrojtjes institucionale ndaj saj si grua dhe si kryetare që nuk është pjesë e “partive të mëdha”. Ajo thotë se ndonëse ka raportuar publikisht dhe zyrtarisht për kërcënime të vazhdueshme, institucionet vendore, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta mbrojtur.
“Si grua dhe njeri, nuk kam pasur dhe nuk kam mbrojtje nga asnjë institucion për kërcënimet që i marr vazhdimisht. Në çdo shtet ka mafie, por vetëm në Maqedoni mafia ka shtetin e vet,” shkruan ndër të tjera Arsovska.
Ajo njofton për zbulimin e një skandali të madh korruptiv që përfshin, sipas saj, kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe një grup të organizuar kriminal. Sipas Arsovskës, ky grup ka fabrikuar dhe falsifikuar dokumente zyrtare nga institucione shtetërore, duke u mundësuar përfitime të paligjshme milionëshe personave, përfshirë të mitur.
Ajo thotë se rasti është në fazë hetimi nga Prokuroria Themelore Publike, ndërsa dëshmitë janë të konfirmuara nga institucione dhe persona të ndryshëm. Megjithatë, paralajmëron se ajo dhe bashkëpunëtorët e saj po përballen me kërcënime serioze dhe dhunë fizike, përfshirë prerje të gomave të makinave të inspektorëve që punojnë në këtë rast.
“Përkundër dokumentimit të plotë të këtyre ngjarjeve, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret,” shkruan ajo.
Në fund të letrës, Arsovska i kërkon ambasadorit Rokas që t’ia përcjellë eurokomisioneres Marta Kos mesazhin e saj, duke theksuar se përfshirja e Bashkimit Evropian në këtë rast do të ishte një sinjal i qartë kundër korrupsionit dhe mbështetje për sundimin e ligjit në vend.
“Përfshirja e BE-së do të përshpejtonte drejtësinë dhe do të jepte një mesazh të fortë se korrupsioni nuk do të tolerohet,” përfundon letra e Arsovskës. Flaka
















