Deputeti Lefkov: Shërbimet bullgare po zhvillojnë operacion hibrid kundër Mickoskit dhe shtetit maqedonas
Mile Lefkov, deputet dhe anëtar i kryesisë ekzekutive të partisë VMRO-DPMNE në Shkup, që së fundmi deklaroi se shërbimet bullgare janë duke zhvilluar një operacion për dis kreditimin e kryeministrit maqedonas Kristian Mickoski, rezulton të jetë i vetmi anëtar i një familjeje të madhe tërësisht bullgare nga qyteti i Koçanit .
Rreth 20 persona me mbiemrin Lefkov nga Koçani – përfshirë kushërinj të parë dhe të dytë, si dhe vëllanë e tij Ivan – janë shtetas bullgarë, pasi në procedurën e aplikimit kanë deklaruar se kanë një gjysh bullgar dhe se vetë ndjehen bullgarë. Ndërkohë, partia e Lefkovit bën rezistencë ndaj çdo përpjekjeje që njerëzit në Republikën e Maqedonisë së Veriut që vetëidentifikohen si bullgarë të përfshihen në kushtetutë.
Sipas Lefkovit, shërbimet bullgare së bashku me bashkëpunëtorët e tyre në Maqedoninë e Veriut po zhvillojnë një operacion të koordinuar kundër kryeministrit Mickoski, qeverisë dhe shtetit. Ai i përshkroi këto veprime si metoda hibride klasike dhe “revanshizëm” që intensifikohet pas çdo dështimi të diplomacisë bullgare në institucionet evropiane .
Lefkov tha se operacioni nuk është vetëm një betejë politike kundër një partie, por një sulm i pasuksesshëm ndaj identitetit maqedonas. Megjithatë, ai nuk komentoi për të gjithë familjen e tij në Koçan, e cila duket se i mbështet rrënjët bullgare – duke mbështetur këtë me dokumentacion zyrtar dhe deklarata identiteti bullgar .
“Nuk bëhet fjalë për një betejë kundër një partie. Është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe identitetit maqedonas,” – deklaroi Lefkov.
Ai shtoi se ky operacion thellohet sa herë që diplomacia bullgare dështon në përpjekjet për të ndikuar mbi institucionet evropiane në lidhje me çështjet historike dhe identitare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Në fokus të këtij operacioni sipas Lefkov është diskreditimi i Mickoskit përmes një rasti të pretenduar që daton në vitin 2008, ku pretendohet se ai kishte aplikuar për shtetësi bullgare, por më vonë e kishte tërhequr kërkesën. Kjo u raportua nga disa portale bullgare, përfshirë Lupa.bg, Tribune.bg, Epicenter.bg dhe Pogled.info.
Deputeti vuri në dukje se edhe vetë familjarë të tij nga Koçani kishin aplikuar për shtetësi bullgare, por kjo nuk përbën asnjë provë për qëndrime politike apo ideologjike të tyre, duke shtuar se shumë qytetarë e kanë bërë këtë për arsye praktike dhe ekonomike.
“Tentativa për të përdorur dokumente të fabrikuara si prova është pjesë e një operacioni të ulët dhe të dështuar për të manipuluar opinionin publik,” – shtoi Lefkov.
Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet mes Shkupit dhe Sofjes mbeten të larta, sidomos në kontekstin e integrimit evropian dhe kërkesave të palës bullgare për ndryshime në qasjen ndaj historisë dhe identitetit në Maqedoninë e Veriut.
Përgatiti: Flaka | Bazuar në raportimin e 24chasa.bg
22 Korrik 2025
















