Diplomaci pa pasqyrë: Mucunski akuzon BE-në, shmang problemet e brendshme
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, mori pjesë në takimin e parë të Platformës së Paqes për Ballkanin, që u mbajt në Stamboll, me iniciativë të homologut turk Hakan Fidan. Në këtë ngjarje morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe u diskutuan temat kyçe për të ardhmen e rajonit: integrimi evropian, ndërlidhja rajonale, arsimi, migrimi i të rinjve dhe industria e mbrojtjes.
Sipas komunikatës zyrtare të MPJ-së, Mucunski ka deklaruar se “Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit konstruktiv rajonal si nxitës i zhvillimit ekonomik”, duke theksuar sfidat që sipas tij rëndojnë mbi të gjithë rajonin: konkurrueshmëria e ulët, mungesa e ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike si dhe emigrimi i të rinjve.
Megjithatë, në këtë forum ku u fol gjerësisht për nevojën e një rruge të qartë drejt BE-së, Mucunski nuk ofroi asnjë vetëkritikë për ngecjet e thella të Maqedonisë së Veriut në këtë proces. Në vend të kësaj, ai u mjaftua me deklarata të përgjithshme si:
“Mungon një rrugë evropiane e parashikueshme dhe dinamike për rajonin”
dhe kërkoi “më shumë vendosmëri dhe lidership” në Bruksel.
Ajo që ra në sy ishte mospërmendja e bllokadave politike të brendshme, krizës me ndryshimet kushtetuese dhe rritjes së euroskepticizmit në vend – faktorë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut një nga vendet më të bllokuara në rajon përkundër faktit që është një ndër të parat që mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Në takimin e mbajtur në Turqi u theksua nevoja që Platforma për Paqe në Ballkan të zhvillohet më tej edhe në nivel liderësh shtetërorë, por mbetet e paqartë se çfarë do të sjellë realisht ky format për rajonin, sidomos kur nga disa aktorë politikë në Maqedoninë e Veriut theksohet se politika e jashtme e vendit po zëvendësohet me simbolikë diplomatike, e jo me rezultate konkrete. Flaka
















