Edi Rama: 🦅Te Çarshia e Vjetër e Shkupit❤️🇦🇱
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një postim nga vizita e tij në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Me një mesazh të fuqishëm dhe dhjetëra fotografi të përzgjedhura, Rama ka ndarë momentet e takimit me qytetarët shqiptarë të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.
Në postimin e tij, kryeministri shpreh përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis shqiptarëve në rajon, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkësisë kulturore.
Ky takim vjen në një kohë të rëndësishme për dialogun dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve dhe komuniteteve shqiptare në Ballkan.
Në një samit simbolik për të ardhmen evropiane të rajonit, organizuar në zemër të Shkupit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i vetmi lider nga Ballkani që jo vetëm që e kaloi pragun e sallës së konferencës, por edhe atë të kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa shumica e liderëve ballkanikë zgjodhën freskinë sterile të protokolleve dhe ajrit të kondicionuar, Rama u pa në mes të Çarshisë së Vjetër – në zemër të komunitetit shqiptar, i shoqëruar nga ambasadori Denion Meidani, përfaqësues të BDI-së si Bujar Osmani, si dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai takoi gjithashtu liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, në një takim që, përtej kamerave, dërgoi një mesazh të qartë: për çështjet shqiptare, rruga kalon përmes unitetit, por jo përmes improvizimeve.
Në samit ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili zgjodhi të takohet me liderët e VLEN-it, por jo edhe me qytetarët shqiptarë të Shkupit. Në një vizitë që duhej të përçonte afërsi dhe përkrahje, Kurti u kufizua në takime të mbyllura me përfaqësues të një koalicioni ende të paprovuara në përgjegjësi të vërtetë. Mungesa e një gjesti publik ndaj qytetarëve shqiptarë ngriti pikëpyetje për prioritetet dhe ndjeshmërinë politike të këtij takimi.
Ajo që nuk mund të kalonte pa u vënë re ishte mungesa e përfaqësuesve të VLEN-it – një koalicion që e quan veten “zëri i ri i shqiptarëve”, por që gjithnjë e më shumë po duket si një zë jashtë frekuencës, kur bëhet fjalë për takime me peshë dhe përfaqësim serioz. Anashkalimi i tyre, i heshtur por i thellë, e shndërroi këtë vizitë në një pasqyrë politike: Shqipëria flet me ata që e mbajnë fjalën dhe që kanë mbajtur barrën e përfaqësimit real ndër vite – jo me ata që e përkufizojnë politikën si një rotacion emocionesh në TikTok.
Edi Rama nuk e kërkoi hijen politike – ai kërkoi realitetin në terren, gjurmët e vërteta të përfaqësimit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Dhe aty ku janë qytetarët, aty ku është Çarshia, aty ishin dhe ata që e kanë mbajtur barrën në kohë të vështira.
VLEN-i, me gjithë përpjekjen për të qenë pjesë e skenës, në këtë rast u la jashtë skenës – jo nga fati, por nga fakti. Flaka
















