Infermieret në Tetovë as vendime pune, as rrogat e mbetura – kërkojnë takim me ministrin e ri të Shëndetësisë
Infermieret në Tetovë janë shprehur të zhgënjyera nga qasja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Qeverisë lidhur me statusin e tyre të punësimit. Në vend të vendimeve të përhershme të punës, sot atyre u janë dorëzuar sërish kontrata të përkohshme, të vlefshme vetëm deri në dhjetor.
“Ne presim tash. Drejtori na informoi se do na bëhet pagesa, por problem mbetet ende çështja e vendimeve që nuk ka informatë. Drejtori u shpreh se ai nuk jep vendime andaj na u tha që të drejtohemi në ministri. Presim zgjedhjen e ministrit pastaj të takojmë edhe atë për të drejtat që na takojnë,” deklaroi për media Flutura Islami, infermiere në Tetovë.
Pavarësisht premtimeve të mëhershme për rregullimin e statusit të tyre dhe pagesën e rrogave të mbetura, asnjë nga këto nuk është realizuar. Situata vazhdon të jetë e paqartë, ndërsa punonjëset shëndetësore kërkojnë takim urgjent me ministrin e ardhshëm të Shëndetësisë, sapo ai të emërohet, për të kërkuar zgjidhje konkrete dhe afatgjatë për pozitën e tyre.
Infermieret paralajmërojnë se nëse nuk ka përparim, do të shqyrtojnë mundësinë e protestave apo veprimeve të tjera sindikale. Flaka Media
















