Inspektori Limani paralajmëron: Rrezikohet shuarja e Inspektoratit të Gjuhëve si organ i pavarur
Herolind Limani, inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, ka ngritur alarmin publik për një zhvillim që, sipas tij, rrezikon seriozisht ekzistencën ligjore dhe pavarësinë institucionale të këtij organi, transmeton Flaka
Përmes një reagimi publik, Limani denoncon tentativën për ta zhveshur Inspektoratin nga statusi i personit juridik, duke e shndërruar atë në një sektor të thjeshtë brenda një agjencie shtetërore, pa sqaruar se cilës agjenci konkretisht do t’i nënshtrohet ky transformim.
“E ndjej si obligim moral, kombëtar e profesional të reagoj dhe të tërheq vërejtjen,” – shkruan Limani. – “Tentimi për fshirjen e statusit të personit juridik të Inspektoratit të Gjuhëve me alibinë për ‘harmonizim me Ligjin për Organizimin e Administratës’ është një tendencë e rrezikshme dhe e patolerueshme.”
Ai thekson se Ligji për Mbikëqyrje Inspektuese, konkretisht neni 26, nuk e lejon që një inspektorat me cilësi të personit juridik të funksionojë brenda një agjencie.
“Në kuadër apo në përbërje të ndonjë agjencie mund të ketë vetëm sektor për mbikëqyrje inspektuese,” – paralajmëron ai. – “Kjo do të thotë se, nëse lejohet kjo ndërhyrje, Inspektorati i Gjuhëve jo vetëm që humb pavarësinë, por praktikisht shuhet dhe zëvendësohet nga një sektor formal.”
Limani bën thirrje për kujdes të shtuar nga institucionet vendimmarrëse, duke theksuar se ruajtja e statusit aktual të Inspektoratit nuk kërkon ndërhyrje të thella ligjore apo procedura të ndërlikuara parlamentare.
“Shumë seriozisht ju kisha lutur, keni kujdes çfarë veprimesh dhe vendimesh merrni. Largohuni nga kjo rrugë e rrezikshme dhe të paktën: ruajani këtë status që tani e ka Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve – keni mjaftë mënyra ligjore për ta bërë këtë dhe të cilat as nuk kërkojnë shumicën e badenterit,” – përfundon Limani.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur po shqyrtohen ndryshime në strukturën dhe funksionimin e disa institucioneve shtetërore në përputhje me Ligjin për Organizimin e Administratës Shtetërore, por shqetësimet për zhbërjen e institucioneve kyçe për barazi gjuhësore dhe etnike ngjallin reagime të forta nga përfaqësues të komuniteteve dhe ekspertë të fushës.
Redaksia do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet dhe reagimet institucionale lidhur me këtë çështje. Flaka Media
















