Ish zyrtarit të Menduh Thaçit – Orhan Ibrahimi i duket “OK” gjendja e shqiptarëve tani!
Ish-zyrtari i Menduh Thaçit dhe ish-deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, ka reaguar me tone të forta ndaj liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, duke e akuzuar për hipokrizi dhe shmangie të përgjegjësisë politike.
Në një koment publik, Ibrahimi tha se:
“Pas gjithë rrugëtimit që bëri, nga ‘kauza për ndryshim’ deri te përqafimi politik me Ali Ahmetin, Arben Taravari tani paska vendosur të japë këshilla morale dhe të ndajë detyra për të tjerët.”
Ai komentoi edhe ftesat që Taravari i ka bërë për bashkëpunim figurave si Arben Fetai në Likovë dhe Azir Aliu në Gostivar, duke i cilësuar ato si:
“Ftesa që duken më shumë si përpjekje për të larë duart nga përgjegjësia e tij.”
Ibrahimi nuk ngurroi të përdorte metaforën e zjarrfikësit për të përshkruar rolin e Taravarit:
“Kush e dogji shtëpinë, s’mund të kërkojë sot nga të tjerët ta fikim zjarrin.”
Nisur nga reagimi i tij, lejohet të nënkuptohet që gjendja e shqiptarëve me qeverinë e VMRO-DPMNE dhe VLEN është e mirë, ndërkohë që Taravari të enjten nga Gostivari rradhiti dështimet, margjinalizimin e shqiptarëve dhe nënçmimin nga ana e Mickoskit.
“Ne nuk mund të jemi hyzmeqarë të maqedonasve. Ne mund të jemi vetëm partnerë të barabartë. Koha e yzmeqarllëkut ka përfunduar në vitet ’90.”
Duke përshkruar gjendjen aktuale si “të jashtëzakonshme”, Taravari bëri thirrje për bashkim të faktorit politik shqiptar:
“Pyetini shqiptarët në çdo institucion: A jeni më mirë sot se një vit më parë? – Do t’ju thonë: ‘Jemi shumë më keq!’”
Në fund të fjalimit të tij, ai ftoi të gjithë ata që qëndrojnë në pushtet vetëm për një pozitë afatshkurtër, të reflektojnë dhe të bashkohen në një front të përbashkët politik shqiptar:
“Ju që ende qëndroni për një pozitë, mendoni: A ia vlen për katër muaj? Hajdeni dhe bashkohuni në një front të përbashkët shqiptar, për t’iu treguar maqedonasve: ‘Ne jemi partnerët tuaj – jo hyzmetqarë tuaj.’” Flaka Media
















