Izet Mexhiti nuk rezulton banor i Çairit – Ligjërisht nuk mund të kandidojë?
Lideri i Lidhjes Demokratike dhe një nga figurat kryesore të VLEN-it, Izet Mexhiti, rezulton të jetë banor i Komunës së Butelit, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), njofton Flaka
Ky fakt vë në pikëpyetje legjitimitetin formal të kandidaturës së tij të mundshme për kryetar të Komunës së Çairit, pasi Kodi Zgjedhor i Maqedonisë së Veriut kërkon që kandidati për kryetar komune të ketë vendbanim të përhershëm në atë komunë.
Kodi Zgjedhor – Neni 7, paragrafi 2:
“Të drejtën për t’u zgjedhur për kryetar komune e ka çdo shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut që ka të drejtë vote dhe ka vendbanim të përhershëm në territorin e komunës përkatëse.”
Megjithëse deklaratat politike të Mexhitit e portretizojnë atë si figurë të lidhur ngushtë me Çairin, të dhënat zyrtare flasin ndryshe.
“Çairin e kam në zemër”, kishte deklaruar Mexhiti një ditë më parë, ndërkohë që dokumentet zyrtare e lidhin atë me një tjetër adresë – në Butel.
Rreth kësaj çështjeje, ende nuk ka një prononcim zyrtar nga ana e Mexhitit apo e partisë së tij. Nëse nuk ndryshon vendbanimin në mënyrë ligjore, ai nuk mund të garojë ligjërisht në Çair. Flaka
















