Kosovë: Ali Ahmeti nderon veprimtarët Jahir Prenku dhe Sami Spahiu
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot homazhe pranë varrit të Jahir Prenkut, një prej veprimtarëve të dalluar të çështjes kombëtare shqiptare, në shenjë nderimi për kontributin e tij jetësor.
“Sot, bashkë me mikun tim, kryetarin Ramiz Lladrovci, bëmë homazhe pranë varrit të Jahir Prenkut, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, në nderim të kontributit të tij për lirinë dhe kauzën shqiptare,” shkroi Ahmeti.
Ai shtoi se vizita ishte gjithashtu një shprehje solidariteti me familjen Prenku:
🗣️ “I shprehëm edhe ngushëllimet më të sinqerta familjes Prenku, duke ndarë me ta dhimbjen për humbjen e një njeriu që jetën ia kushtoi kombit. Lavdi jetës dhe veprës së Jahir Prenkut! Respekt dhe mirënjohje përherë!”
Po ashtu, Ahmeti kujtoi me respekt edhe ndarjen nga jeta të Sami Spahiut, veprimtar i mërgatës shqiptare nga fshati Cërvicë i Kërçovës, i cili ka dhënë një kontribut të gjatë në kuadër të LPK-së në Zvicër dhe demonstratave të organizuara për të drejtat e shqiptarëve.
“Dje i dhamë lamtumirën e fundit Sami Spahiut, një veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, anëtar i LPK-së në Zvicër dhe pjesëmarrës i shumë demonstratave për lirinë dhe të drejtat e popullit tonë.”
“Me përkushtim, thjeshtësi dhe vendosmëri, Samiu ishte njëri nga zërat e mërgatës që nuk heshti kurrë për kombin tonë. Pusho në paqe, veprimtar i devotshëm i kombit!” – përfundoi Ahmeti. Flaka
















