Kriza në Inspektoratin e Gjuhëve: Pagat mbeten pezull, zgjidhja ngec në lojë politike
Takimi i mbajtur mes drejtorit dhe të punësuarve në Inspektoratin e Gjuhëve me koordinatorët e grupeve parlamentare përfundoi pa një epilog konkret, shkruan Flaka. Problemi i mungesës së pagave për të punësuarit në këtë institucion mbetet i pazgjidhur, ndërsa gjithnjë e më tepër po merr trajtë politike sesa ligjore.
Ndryshimet në Ligjin për Inspektoratin e Gjuhëve, të cilat janë kyçe për tejkalimin e situatës, tashmë ndodhen në Kuvend, por procesi është bllokuar për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme të Badenterit. Për të kaluar këto ndryshime, mazhorancës i nevojitet mbështetja e Frontit Evropian opozitar.
Megjithatë, opozita shqiptare ka refuzuar të japë votat, duke argumentuar se përmes ndryshimeve ligjore “fshihet subjektiviteti juridik” i Inspektoratit, dhe se ekziston rreziku për zbehjen ose shuarjen e institucionit.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës parlamentare hedhin poshtë këto pretendime, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shuarje apo degradim të Inspektoratit. Ata bëjnë thirrje që ndryshimet të votohen sa më parë, në mënyrë që të mundësohet pagesa e rrogave për të punësuarit, dhe më pas – siç theksojnë ata – të vazhdojnë diskutimet për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.
Në ndërkohë, të punësuarit e Inspektoratit mbeten në një situatë të pasigurt, të bllokuar mes nevojës për mbijetesë ekonomike dhe ngërçit institucional që varet nga aritmetika politike në Kuvend. Flaka Media
















