Kryeministri: Le të kërkojmë me Bullgarinë njohje të gjuhës dhe identitetit maqedonas në PE
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka propozuar një iniciativë të përbashkët me Bullgarinë në Parlamentin Evropian, për të garantuar përmes një rezolute ose raporti zyrtar, njohjen e qartë të identitetit dhe gjuhës maqedonase si të veçanta. Këtë thirrje e bëri gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Vetëm Intervistë” në Televizionin Kanal 5.
“Le të bëjmë një përpjekje, dhe ajo përpjekje është që Parlamenti Evropian me shumicë votash të sjellë një vendim, ose një rezolutë, ose të jetë pjesë e një raporti, me të cilën do të njihet qartë identiteti dhe gjuha maqedonase si të veçanta,” deklaroi Mickoski.
Ai komentoi qëndrimet e Bullgarisë, duke nënvizuar se kërkesat për ndryshimet kushtetuese, për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk janë fundi i kushteve, siç pretendohet nga autoritetet bullgare apo edhe nga opozita maqedonase.
“Ajo që kishin mundësi ta shihnin Evropa dhe bota është se ndryshimi i Kushtetutës nuk është e vetmja gjë që duhet ta bëjmë për të vazhduar. Në fakt, shumë figura të fuqishme politike në Bullgari e thonë këtë,” tha ai.
Mickoski përmendi edhe zhvillimet rreth raportit të raportuesit Andreas Vajgl në Parlamentin Evropian, duke theksuar ndërhyrjet dhe ndryshimet që janë bërë në formulimet për gjuhën maqedonase.
“Kjo ndodhi edhe në kuadër të raportit të raportuesit Vajc. Para se të kalojë në AFET kishte një tjetër zhvillim. Atëherë nuk duhej të fshihej nga raporti, por të hiqej fjala ‘aktual’. Pastaj erdhi fjala ‘modern’ nga një grup i caktuar eurodeputetësh.”
Kryeministri vlerësoi se deklarata e fundit e presidentit bullgar, Rumen Radev, ku ky i fundit pretendon se i vetmi kusht për Shkupin është ndryshimi i Kushtetutës, nuk i përgjigjet realitetit.
“Para disa ditësh dëgjova një deklaratë nga presidenti Radev, ku ai thotë se kushti i vetëm që duhet ta përmbush Maqedonia është të ndryshojë Kushtetutën. Ne në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë nuk kishim asnjë kusht. Kemi një marrëveshje të nënshkruar me të cilën Bullgaria duhet të na përkrahë në kuadër të procesit të negociatave dhe anëtarësimit. Por morëm veto, sepse sipas tyre, ne nuk e kemi zbatuar marrëveshjen dhe nuk i kemi realizuar të drejtat e minoritetit bullgar në Maqedoni,” shtoi Mickoski.
Ai përfundoi se është koha për të kërkuar garanci ndërkombëtare për identitetin dhe gjuhën maqedonase, në mënyrë që rruga drejt BE-së të mos mbetet peng i kërkesave të njëanshme.
















