Kryeministri Mickoski lartëson figurat e Shën Kirilit dhe Metodit
Me rastin e 24 Majit – Ditës së iluministëve mbarësllavë, Shën Kirili dhe Metodi, kryeministri Hristijan Mickoski ka përcjellë urime në emrin e tij personal dhe në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e veprës së këtyre dy misionarëve për popujt sllavë dhe për shkrim-leximin në gjuhën amtare, shkruan Flaka
“Vëllezërit Kirili dhe Metodi, themelues të alfabetit Gllagolik dhe inspirues të krijimit të alfabetit cirilik, mbeten simbol i fuqisë që qëndron në arsim, shkencë dhe kulturë. Misioni i tyre fisnik vazhdon të bashkojë edhe sot”, theksoi Mickoski në mesazhin e tij.
Kryeministri shtoi se përkushtimi i tyre për përhapjen e dijes dhe spiritualitetit është trashëgimi e çmuar që duhet ruajtur dhe kultivuar, sidomos përmes gjeneratave të reja që mësojnë, krijojnë dhe mësojnë të tjerët.
“Falë tyre, ne sot e zhvillojmë kulturën dhe arsimin në gjuhën amtare. Kjo është dhurata më e madhe — shkronja, shkrimi dhe zëri i identitetit tonë”, u shpreh Mickoski, duke theksuar se misioni i iluministëve vazhdon përmes çdo nxënësi, shkrimtari dhe mësuesi.
Ai përmbylli mesazhin duke e quajtur këtë ditë “një urë shekullore drejt së ardhmes” dhe duke uruar të gjithë qytetarët për këtë ditë të shënuar:
“Gëzuar 24 Maji – Dita e iluministëve mbarësllavë, Shën Kirili dhe Metodi!”. Flaka
















