Kuvendi nuk vonon, konstaton dorëheqjen e Arben Taravarit dhe dy zëvendësministrave
Sot, në seancën e 49-të të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, është konfirmuar dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari. Gjithashtu, janë konstatuar dorëheqjet e dy zëvendësministrave: Flakron Bexheti nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe Elfete Ismaili nga Ministria e Mbrojtjes.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, bëri të ditur se sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, funksionarët që dorëhiqen kanë të drejtë të sqarojnë dorëheqjen e tyre gjatë seancës, por asnjëri prej tyre nuk e ka kërkuar këtë të drejtë, andaj dorëheqjet janë konstatuar pa diskutim.
Pas këtij momenti, seanca u ndërpre për një orë, pas kërkesës procedurale të deputetit të E Majtës, Sashko Jançev. Ai sqaroi se kërkesa për pauzë vjen për shkak të refuzimit të shërbimeve të Kuvendit dhe Sekretarit të përgjithshëm për t’i dhënë informacione mbi shpenzimet për udhëtime të deputetëve, të ndara sipas individëve.
Jançev paralajmëroi se E Majta do të kërkojë pauzë njëorëshe në çdo seancë, derisa të marrin të dhënat e kërkuara, duke theksuar se transparenca është detyrim institucional.
Ndërkohë, mbetet të shihet se si do të rrjedhin zhvillimet e mëtejshme në përbërjen e re qeveritare, pas këtyre dorëheqjeve.Flaka
















