Lajmi në Flaka që ‘ndozi’ skenën politike – Me protagonist ambasadori Meidani!
Ishte lajmi në Flaka mbi akitivitetin e ambasadorit shqiptar në Shkup, Denion Meidani që ndozi skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Flaka raportoi mesditën e së enjtes që falë angazhimit të ambasadorit Meidani, qeveria solli vendim për legalizimin e objekti shkollor të nxënësve shqiptarë në Nerovë të Krushevës.
Pas vizitës së tij në këtë lokalitet javën e kaluar, ku dëgjoi shqetësimet e banorëve dhe premtoi përkrahje të plotë, ambasadori Meidani veproi menjëherë. Madje, në prani të banorëve, ai komunikoi drejtpërdrejt me zëvendëssekretarin për punë të përgjithshme në Qeveri, duke insistuar që çështja e shkollës të futet në rend dite të mbledhjes së ardhshme të ekzekutivit.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm për më shumë se 120 nxënës shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev”, të cilët deri tani mësonin në kushte jo të përshtatshme. Kur banorëve iu ndalua ndërtimi i objektit të ri – të ngritur me vetëfinancim – ata protestuan dhe fëmijët bojkotuan mësimin.
“Merita të posaçme i takojnë edhe Ambasadorit të Shqipërisë për përkrahjen dhe vizitën që na bëri në këtë shkollë, vizitë që dha edhe rezultatet e para konkrete,” – u shpreh Bexhet Babloku nga Bashkësia Lokale e Nerovës.
Gjithçka filloi pasi banorë të Krushevës dhe Nerovës, në rrjetet sociale falënderuan ambasadorin Meidani se ndihmoi në zgjidhjen e problemit me shkollën fillore në Nerovë.
Ishte deputetja Saranda Imeri Stafaj që reagoi e para. Deputetja e VLEN-it ,Imeri Stafaj, ka hedhur hije dyshimi mbi rolin e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në këtë zhvillim të rëndësishëm.
“Shkolla në Nerovë u legalizua nga Qeveria VLEN. Nuk e di çfarë kontributi ka dhënë Ambasadori Meidani që po gllabëron meritat!?” – shkroi ajo në rrjetet sociale, duke shtuar me ironi: “Ku ishit deri tani?”
Edhe faqe tjera në rrjetet sociale, të afërta me VLEN-in, kanë nis fushatë fyerjesh dhe sulme ndaj ambasadorit shqiptar.
Nga ana tjetër, aktivistë të opizitës shqiptare, gazetarë dhe qytetarë të shumtë po mbështesin ambasadorin Meidani, i gjendur nën sulm për të dytën herë brenda këtij viti.
Eksponentë të lartë të BDI-së, dy krahëve të ASH-së, gazetarë, artistë e personalitete të tjera dolën në përkrahje të ambasadorit Meidani.
Herën e parë u fye dhe sulmua kur Taravari beaktisi Qeverinë, ndërsa u akuzua ambasadori Meidani. Atëherë, ishte zëvendëskryeministri Arben Fetai që doli në mbështetje të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, Denion Meidani.
Hera e dytë sot – pas raportimit nga Flaka dhe pastaj edhe mediave të tjera, dhe pasi u falënderua nga banorët e Krushevës dhe Nerovës se ndihmoi në zgjidhjen e problemit të shkollës shqipe. Flaka Media
















