Lojërat e fatit – Aleanca për Shqiptarët: Mashtrim elektoral nga VLEN dhe ligj për oligarkët!
Pavarësisht premtimeve të bujshme nga eksponentët e grupimit VLEN dhe vetë qeverisë se do të ndalohej 100% funksionimi i lojërave të fatit online, realiteti flet ndryshe. Në vitin e parë të qeverisjes nuk u ndërmor asnjë hap konkret për ndalim, dhe projektligji i ri, i hartuar nga Ministria e Financave me përkrahje të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, jo vetëm që nuk e parasheh ndalimin, por në fakt e garanton dhe legalizon këtë industri për periudhë 6-vjeçare.
Sipas projektligjit të ri për Lojërat e Fatit, licencat për operatorët online do të vazhdojnë të jepen për periudha gjashtëvjeçare, si më parë, duke konfirmuar mungesën e vullnetit për ndalim të kësaj forme të aktivitetit, pavarësisht retorikës politike që shfrytëzohej gjatë fushatës.
Për më tepër, nga analiza e dispozitave ligjore rezulton se mungojnë masa të forta mbrojtëse për qytetarët:
“Ky ligj nuk përmban mekanizma të pavarur ankimi, nuk ka afate të qarta për shqyrtimin e aplikimeve, nuk ka procedura për transparencë, dhe nuk parashihen as masa të verifikimit të moshës apo përjashtimi i personave me varësi të diagnostikuar,” – thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Sipas tyre, nuk ka asnjë garanci për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve që luajnë online:
“Ligji nuk përcakton afatin e ruajtjes së të dhënave, të drejtën për fshirje apo transferim, as ndalimin e ndarjes së të dhënave me palë të treta,” – thekson Aleanca, duke shtuar se kjo nënkupton rrezik serioz për privatësinë dhe sigurinë digjitale të qytetarëve.
Në vend të ndalimit, ligji po krijon një sistem që monopolizon tregun dhe favorizon kompani të lidhura me pushtetin, duke ngritur dyshime serioze për përfitime të fshehura të njerëzve pranë strukturave qeveritare.
“Ky është një ligj për oligarkët, jo për qytetarët. Premtimi i VLEN-it për ndalimin e lojërave të fatit online ka rezultuar të jetë një mashtrim elektoral. Qytetarët kanë të drejtë të ndihen të tradhtuar dhe të zhgënjyer,” – thuhet në qëndrimin zyrtar të Aleancës për Shqiptarët.
Në fund të reagimit, partia opozitare vlerëson se VLEN jo vetëm që nuk e mbrojti interesin publik, por po kontribuon në rritjen e varësisë sociale dhe ekonomike të qytetarëve përmes mbështetjes ligjore të një sektori problematik:
“Në vend të ndalimit, VLEN po merr hisen e vet.”
















