Maqedonia “në flakë” nga nikotina – paralajmërime për taksa dhe ligj të ri për cigaret!
Në Ditën Botërore “Pa Duhan”, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe autoritete shëndetësore në Maqedoninë e Veriut ngritën alarmin për pasojat fatale të konsumimit të duhanit dhe mungesën e kontrollit institucional ndaj përdorimit të tij, njofton Flaka Media
Sipas të dhënave të fundit të OBSH-së, Maqedonia e Veriut renditet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të duhanpirjes, me mbi 46% të meshkujve dhe 27% të femrave të rritura që konsumojnë produkte që përmbajnë nikotinë.
“Më shumë se 4 mijë qytetarë vdesin çdo vit nga konsumimi i duhanit në këtë shtet. Kjo është një tragjedi që mund të parandalohet. Nëse nuk veprojmë, pasojat do të prekin jo vetëm shëndetin publik, por edhe rritjen ekonomike dhe demografinë e vendit,” deklaroi Akim Ali, përfaqësues i OBSH-së në Shkup.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, pranoi se inspektorët nuk po e zbatojnë siç duhet ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira publike. Ai njoftoi se është në përgatitje një ligj i ri ose ndryshime të thella në ligjin ekzistues, duke shtuar se po punohet edhe në rritjen e taksave për produktet e duhanit.
Ndërkohë, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, tha se reklamimi i cigareve elektronike në rrjetet sociale është një tjetër problem serioz që nuk është i rregulluar me ligj.
“Ajo që po ndodh në rrjetet sociale është jashtë kontrollit ligjor. Një nga qëllimet tona është që kjo pjesë të përfshihet në kuadrin ligjor të ri,” theksoi Andonovska.
Gjatë eventit, u theksua gjithashtu se 7 nga 10 duhanpirës në vend kanë filluar përdorimin e duhanit në moshë të hershme, një fakt që OBSH e konsideron alarmues, krahas statistikës globale prej shtatë milionë fëmijësh që përdorin duhan në mbarë botën. Flaka Media
















