Mesazhet politike nga Bërvenica: gara për raundin e dytë, thirrje për bashkim dhe mbështetje për Arkin Jahijin
Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës ka nxitur reagime të shumta politike, me thirrje për mbështetje, mesazhe për unitet dhe paralajmërime për një garë të re në raundin e dytë.
Sipas rezultateve fillestare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pas përpunimit të të gjitha 24 vendvotimeve, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, ka marrë 2.943 vota ose 38,90 për qind. Në vendin e dytë është renditur Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), me 2.152 vota ose 28,45 për qind, ndërsa kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini, ka fituar 1.528 vota ose 20,20 për qind.
Dalja në votime ishte 46,56 për qind, me gjithsej 7.565 votues nga 16.256 qytetarë me të drejtë vote. Sipas KSHZ-së, procesi zgjedhor u zhvillua pa denoncime për parregullsi që mund të kenë ndikuar në rezultat.
Ahmeti: “Hapi i dytë është raundi i dytë, aty duhet të tregohet uniteti”
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për bashkim të shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve në Bërvenicë, duke e lidhur rezultatin me përfaqësimin politik të shqiptarëve në komunë.
„Sot kemi korrë një fitore, por ama fitore më e madhe do të jetë kur të gjithë të jemi bashkë. Sonte është hapi i parë, hapin e dytë e kemi në raundin e dytë. Atëherë duhet të tregohet fuqia, uniteti. Ne nuk jemi që duam hisen e tjetërkujt, por shqiptarët në Bërvenicë janë 65 për qind dhe u takon që kryetarin ta kenë shqiptar“, deklaroi Ahmeti, i cilu duke iu drejtuar kampit politik shqiptar në Bervenicë, duke shtuar qe deri sonte kemi qenë oponent politik, prej sonte duhet te jemi vëllezër e të bashkuar.
Edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar me një mesazh politik, duke e cilësuar Bërvenicën si fillim të një procesi më të gjerë.
„Bërvenica është vetëm fillimi: vullneti i shqiptarëve që e injoruat dje, sot po kthehet për të kërkuar llogari“, ka shkruar Osmani.
Taravari kërkon mbështetje për Jahijin
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shprehur mbështetje për Arkin Jahijin dhe u ka bërë thirrje partive shqiptare që ta përkrahin kandidaturën e tij në raundin e dytë.
„Një fitore shumë e rëndësishme vjen sot nga Bërvenica! Duke uruar Arkinin për fitoren e tij, bëj thirrje tek secila parti shqiptare që të votojmë këtë burrë të ndershëm e plot përkushtim që nderon çdo shqiptar!“, ka shkruar Taravari.
Ndërkaq, analisti Sefer Selimi e ka përshëndetur kalimin e Jahijit në raundin e dytë, duke vlerësuar edhe gjestin e kandidatit të VLEN-it, Jakup Huseini, i cili e vizitoi shtabin e AKI-së për ta uruar kundërkandidatin.
Selimi ka shprehur shpresën që kjo mbështetje të mos mbetet vetëm simbolike, por të shoqërohet me angazhim konkret me qytetarët dhe diasporën para votimit përfundimtar.
Huseini uron Jahijin, VLEN-i ende pa vendim për raundin e dytë
Kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini, ka vizituar shtabin e AKI-së për ta uruar Arkin Jahijin për rezultatin e arritur. Gara mes dy kandidatëve dhe kandidatit të VMRO-DPMNE-së do të vazhdojë të jetë në qendër të zhvillimeve politike para raundit të dytë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i VLEN-it dhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka përgëzuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe ka uruar Jahijin për kalimin në raundin e dytë.
Sulejmani pranoi se kandidati i VLEN-it nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për të vazhduar garën, duke theksuar se qytetarët kanë vendosur ndryshe nga pritjet e partisë.
„Pa dyshim që, edhe përkundër këtij rezultati zgjedhor, VLEN do të vazhdojë t’i mbështesë vendbanimet me shumicë shqiptare dhe nga kjo nuk përjashtohet as Komuna e Bërvenicës“, deklaroi Sulejmani.
Sa i përket mbështetjes në raundin e dytë, ai bëri të ditur se kryesia e partisë do të mblidhet për të marrë një vendim.
Mickoski: “Shkojmë drejt një fitoreje të plotë”
Nga VMRO-DPMNE-ja, kryeministri dhe kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, e ka cilësuar rezultatin në Bërvenicë si përgjegjësi për të vazhduar angazhimin ndaj komunës dhe qytetarëve.
„Angazhimi ynë për Bërvenicën vazhdon. Fitorja është e madhe, por po aq të mëdha janë edhe përgjegjësitë tona ndaj kësaj komune. Me projekte konkrete, me përgjegjësi dhe me respekt për çdo person. Për një Bërvenicë për të gjithë. Le ta ruajmë forcën e unitetit tonë. Shkojmë drejt një fitoreje të plotë“, deklaroi Mickoski.
Edhe kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, ka shprehur pritjen për mbështetje më të madhe në raundin e dytë.
Raundi i dytë do të përcaktojë se kush do ta drejtojë Komunën e Bërvenicës. Deri atëherë, qëndrimet e partive shqiptare dhe vendimet e tyre për mbështetjen e kandidatëve pritet të jenë ndër faktorët që do të ndikojnë në zhvillimin e garës. Rezultatet përfundimtare mbeten në kompetencë të KSHZ-së.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës janë zhvilluar dhe përfunduar në mënyrë të rregullt, pa shkelje të rendit dhe qetësisë publike dhe pa asnjë incident.
Nga MPB bëjnë të ditur se gjatë gjithë ditës kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete në kuadër të kompetencave të tyre, me qëllim sigurimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, sigurisë së qytetarëve dhe ruajtjes së një gjendjeje të favorshme të sigurisë.Gazeta Flaka













