Muein Brava ironizon me Fetain dhe Aliun: Arben Taravari s’ju tradhtoi, thjesht s’ju shërbeu më!
Muein Brava nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, u është përgjigjur Arben Fetait dhe Azir Aliut përmes një postimi publik. Ai i ka akuzuar se nuk predikojnë filozofi politike, por “filozofinë e kolltukut”.
Në postimin e tij, Brava i ka sfiduar Fetain dhe Aliun duke i pyetur: “Na tregoni ku është peshorja, që të dimë me sa gram (z)vlen ‘burrëria’ që predikoni!”. Ai i cilësoi ata si “ministra të moralit me pagesë” që sot dalin si viktima të asaj që e quan “tradhtia e madhe” e Arben Taravarit.
Brava thekson se këta ish-bashkëpunëtorë nuk janë as të zhgënjyer, as të habitur, por thjesht të kapur në pazar politik, pa kauzë e ideale, me agjendë personale dhe maska që bien sapo fryn era e pushtetit nga drejtim tjetër.
Ai kujton përkrahjen që këta figura i dhanë Taravarit në momentet e vështira, duke i cilësuar sot si hipokritë që tentojnë të luajnë rolin e gjykatësve moralë vetëm pasi nuk u del llogaria politike.
“Mos na shitni më moral me kilogram”, përfundon Brava, duke sfiduar publikisht kundërshtarët për të treguar “peshoren” e burrërisë që predikojnë. Flaka Media
















