Murtezani në Bruksel: Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm mjet gjeopolitik, por një detyrim moral ndaj demokracisë
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, mori pjesë sot në Forumin e nivelit të lartë për zgjerimin e BE-së, të organizuar nga Komiteti Ekonomik-Social Evropian (EESC) në Bruksel, ku diskutimi kryesor u përqendrua rreth rolit të dialogut social, shoqërisë civile dhe përfshirjes së të rinjve në një Evropë të zgjeruar.
Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë edhe kryetari i EESC-së, Oliver Ropke, ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Majda Gorçeviq, si dhe sekretari shtetëror për BE-në i Spanjës, Fernando Sampedro.
Ministri Murtezani theksoi se procesi i zgjerimit nuk duhet parë thjesht si instrument gjeopolitik, por si një hapësirë e përbashkët për ambicie demokratike, vlera universale dhe përfshirje qytetare.
“Procesi i zgjerimit nuk është vetëm mjet gjeopolitik, por edhe detyrim moral. Detyrim ndaj demokracisë, ndaj dialogut dhe ndaj dinjitetit të çdo qytetari evropian, pavarësisht kufijve, historisë apo gjuhës që flet”, theksoi Murtezani në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj reformave dhe ndërtimit të institucioneve që reflektojnë transparencë, gjithëpërfshirje dhe drejtësi.
Murtezani vuri në dukje se Qeveria së fundmi ka miratuar një Strategji për bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile, duke përmendur shembuj të partneriteteve konkrete me organizatat joqeveritare që ndihmojnë në rritjen e besimit dhe efikasitetit të procesit reformues.
“Për të rinjtë tanë, Evropa nuk është një ide e largët, por një realitet i përditshëm që kërkon drejtësi, inovacion dhe solidaritet,” theksoi ai.
Ministri u bëri thirrje institucioneve evropiane që të respektojnë kriteret e Kopenhagës si bazë e procesit të zgjerimit, pa lejuar që çështjet e identitetit të bëhen pengesë për integrim.
“Zgjerimi nuk duhet të bëhet peng i politikës së identitetit. Duhet t’i përmbahemi kritereve të Kopenhagës: të qarta, të drejta dhe të zbatueshme për të gjithë,” deklaroi ai.
Duke përfunduar fjalimin e tij, Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me përkushtim rrugën drejt BE-së:
“Jemi të vendosur të vazhdojmë me reformat, të forcojmë dialogun social dhe të ndërtojmë institucione që reflektojnë besimin e qytetarëve tanë. Bashkimi Evropian në të cilin besojmë është ndërtuar mbi drejtësi, respekt dhe gjithëpërfshirje. Dhe ne jemi pjesë e kësaj Europe.”
Forumi i organizuar nga EESC shënoi një tjetër moment të rëndësishëm për diskutimin e rolit të qytetarëve dhe organizatave shoqërore në zgjerimin e Bashkimit Evropian, me fokus në ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor.
















