Murtezani në Paris me fjalë të mëdha e rezultate të mjegullta – integrimi mbetet në letër
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, përmbylli një vizitë dyditore në Francë, e mbushur me takime dhe deklarata për “mbështetje”, “bashkëpunim” dhe “perspektivë evropiane”, por me pak të qarta konkrete për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Në Paris, Murtezani u takua me përfaqësues të institucioneve franceze dhe instituteve analitike si “Zhak Delor”, duke diskutuar për sfidat e zgjerimit të BE-së dhe “potencialin e bashkëpunimit”. Në komunikatat zyrtare u përmendën tema si besueshmëria politike, reformat dhe përfshirja e ekspertëve – por nuk u ofrua asnjë afat, asnjë garanci e re, dhe asnjë projekt konkret që lidhet me përparimin real të vendit drejt BE-së.
Në një tjetër takim me deputeten Liliana Tangi, u tha se u diskutua “mbështetja parlamentare” – një tjetër term i përgjithshëm që më shumë duket se mbush faqet e raportit zyrtar sesa të sjell ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë për procesin integrues.
Murtezani foli edhe për “mobilizimin e fondeve” përmes agjencive franceze si AFD dhe PROPARKO, por pa përmendur ndonjë grant të ri, projekt konkret, apo ndihmë të strukturuar që do t’i përgjigjet krizës reale në administratë dhe reformave që zvarriten.
Vizita përfundoi me shumë takime protokollare dhe deklarata të zakonshme që ngjajnë me formulime standarde diplomatike, por pa ndonjë angazhim konkret të palës franceze për përshpejtimin e integrimit të vendit apo për mbështetje specifike në sfidat që përballet vendi në kontekstin e bllokadës bullgare dhe ritmit të ngadaltë të reformave.
Ndërkohë që ministri Murtezani flet për “thellim të partneritetit” dhe “rolin e ekspertëve”, qytetarët e Maqedonisë së Veriut presin rezultate reale: hapjen e kapitujve, përparim në skrining, dhe mbështetje financiare të prekshme – jo vetëm udhëtime zyrtare dhe foto nga Paris. Flaka
















