Ndërtimet e legalizuara nuk janë ndërtime pa leje: Reagim i Komunës së Gostivarit
Komuna e Gostivarit reagon ndaj një informacioni tendencioz dhe të pavërtetë që ditëve të fundit po qarkullon në opinion publik dhe që pretendohet se ka dalë nga Inspektorati për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, lidhur me numrin e ndërtimeve pa leje në territorin e komunës
Kumtesa:
Informojmë opinionin se shifra e përmendur nuk i referohet ndërtimeve pa leje, por objekteve të legalizuara sipas Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Këto janë dy kategori të ndryshme juridike dhe teknike, dhe përzierja e tyre në komunikim publik përbën ose joprofesionalizëm, ose keqinformim të qëllimshëm.
Në të njëjtën kohë, duam të theksojmë se Komuna e Gostivarit është ndër komunat me numrin më të madh të lejeve të ndërtimit të lëshuara, si dëshmi e transparencës dhe funksionimit në përputhje me ligjin.
E vërteta, e mbështetur në të dhëna zyrtare dhe transparente, është si vijon:
Nga viti 2018 deri në vitin 2025, Inspektorati i Ndërtimtarisë pranë Komunës së Gostivarit ka vepruar ndaj 112 objekteve të ndërtuara pa leje, prej tyre:
58 shtëpi individuale
25 mbindërtime apo shtojca
29 mure rrethues oborri
Ftojmë institucionet kompetente dhe mediat të bazohen ekskluzivisht në të dhëna të sakta dhe të verifikuara. Përhapja e të pavërtetave nuk i shërben interesit publik dhe vetëm sa dëmton punën e institucioneve lokale dhe krijon konfuzion te qytetarët.
Komuna e Gostivarit shpreh shqetësim të thellë për paaftësinë e institucionit që ka dhënë këto të dhëna të rreme, si dhe për mediat që i kanë shpërndarë ato pa verifikim paraprak.
Të gjendur përballë kësaj dezinformate të rëndë dhe të qëllimshme, ndihemi të obliguar të ndërmarrim masa ligjore. Komuna do t’i drejtohet institucioneve gjyqësore për inicimin e kallëzimeve për shpifje ndaj drejtuesve të institucionit që kanë shpërndarë këto të pavërteta.
Theksojmë me vendosmëri se nuk do të lejojmë që puna e administratës komunale të përdhoset me informata të pasakta, aq më pak për qëllime të ulëta politike. Mbrojtja e të vërtetës dhe e transparencës është obligim ndaj qytetarëve tanë.
Komuna e Gostivarit
Gostivar, më 11 qershor 2025
















