Nga fotografia me Limanin tek vendi i lirë në Kuvend, dorëheqje politike apo marrëveshje diplomatike?
Pas dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmani nga të gjitha funksionet brenda Aleancës për Shqiptarët dhe mandati i tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pritet që vendin e tij ta zërë Valbona Adili Emini, përfaqësuese nga Lëvizja Besa. Zëvendësimi vjen në përputhje me renditjen në listën zgjedhore të koalicionit VLEN, në të cilën Adili Emini ishte e radhës, shkruan Flaka
Një fotografi e postuar nga shoferi personal i Fatmir Limanit, ku shihen së bashku me Limanin dhe Sulejmanin gjatë një udhëtimi, ka nxitur spekulime për afërsinë politike midis Lëvizjes Besa dhe deputetit tashmë të dorëhequr. Kjo foto u postua pak ditë pas deklaratës së Sulejmanit se largohet nga ASH për shkak të mospranimit të afrimit të kësaj partie me BDI-në – një qëndrim që bie ndesh me mbështetjen e mëparshme për liderin e ASH-së, Arben Taravari.
Në ndërkohë, profesori universitar dhe njohësi i diplomacisë, Flamur Ismaili, ka ngritur dyshime mbi sinqeritetin e dorëheqjes, duke aluduar në një marrëveshje të mundshme politike për një emërim ambasador në Arabinë Saudite. “Tradhëtia ndaj aktivistëve asnjëherë nuk ia vlen!”, ka komentuar Ismaili në rrjetet sociale.
Valbona Adili Emini, e njohur për angazhimin e saj në çështje sociale dhe përfaqësimin e grave në politikë, pritet të sjellë një frymë të re në grupin parlamentar të VLEN-it.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit kanë shtuar tensionet brenda ish partnerëve të koalicionit VLEN. Flala Media
















