Opozita shqiptare “për këmbë” te Ambasadori Meidani – vizita dhe mesazhe politike nga të gjitha krahët
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Denion Meidani, ka pritur sot në takime të ndara përfaqësues të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar një interes të shtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe diskutimin e çështjeve që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në vend, transmeton Flaka
BDI: Roli i Shqipërisë si përkrahës i shqiptarëve në RMV
Nënkryetari i BDI-së, njëherësh shef i shtabit zgjedhor në Tetovë dhe kandidat potencial për kryetar të kësaj komune, Bajram Rexhepi, njoftoi për takimin me Ambasadorin Meidani përmes një postimi në rrjete sociale.
“Sot takova ambasadorin e Shqipërisë z. Denion Meidani. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona dhe kontributin që ne mund të japim për zhvillimin dhe avancimin e këtyre marrëdhënieve,” shkroi Rexhepi.
Ai shtoi se Shqipëria ka pasur gjithnjë një rol kyç për të drejtat e shqiptarëve në RMV:
“Shteti shqiptar ka qenë dhe do të mbetet një përkrahës i përkushtuar i vendit tonë dhe një garantues i avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.”
Skender Rexhepi – Zejdi: Mërgata nuk ndahet në “rezident” e “jo-rezident”
Edhe deputeti i Partisë Populli dhe Frontit Evropian, Skender Rexhepi – Zejdi, zhvilloi takim me Ambasadorin Meidani. Në fokus të bisedës ishte mbrojtja e të drejtave të diasporës shqiptare dhe ruajtja e përfaqësimit të tyre real.
“Arritëm një sukses të rëndësishëm duke parandaluar ndarjen e mërgatës në kategori ‘rezident’ dhe ‘jo-rezident’, ndarje që, edhe pse formale, rrezikonte përfaqësimin real të shqiptarëve në regjistrim,” tha Rexhepi.
Ai kritikoi qasjen e qeverisë së re, duke paralajmëruar rrezik për uljen e përfaqësimit shqiptar:
“Statistikat nuk janë vetëm numra – ato janë dinjitet dhe ekzistencë. Vazhdojmë të mbrojmë çdo të drejtë të fituar me shumë mund dhe sakrificë.”
Aleanca për Shqiptarët: Diskutim për avancimin e të drejtave shqiptare
Në takim me ambasadorin ishte edhe Sekretari Organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi, i shoqëruar nga Shefja e Shtabit Qendror të FRASH-it, znj. Viola Ramadani.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, duke vënë theksin te sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe fuqizimi i bashkëpunimit institucional me Tiranën zyrtare.
“Ishte kënaqësi e veçantë të diskutojmë mbi sfidat dhe mundësitë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Falënderojmë Ambasadorin Meidani për mikpritjen dhe bashkëbisedimin konstruktiv,” deklaroi Uzairi pas takimit.
Ky intensifikim i vizitave dhe kontakteve me përfaqësuesin diplomatik të Shqipërisë në Shkup dëshmon një mobilizim të gjerë politik për të rifokusuar vëmendjen tek të drejtat dhe pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas, në një kohë të ndjeshme për zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
















