Partia e Selës dënon sulmin ndaj Arsovskës: “Nëse sulmohet kryetarja e Shkupit, çfarë mbetet për qytetarët?”
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka reaguar përmes një kumtese ndaj sulmit fizik dhe kërcënimeve të bëra ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe ekipit të saj gjatë një inspektimi të objekteve pa leje në komunën e Çairit.
“Ky sulm duhet të jetë një alarm tejet serioz për funksionimin e ligjit dhe për atë se kah shkon ky shtet. Nëse një kryetare e kryeqytetit mund të sulmohet aq lehtë nga bandat, çfarë ngeli për qytetarët e rëndomtë”, thuhet në reagimin e partisë, i dërguar nga ish-kryetari Ziadin Sela.
Në deklaratë theksohet se dhuna është e patolerueshme në çdo rrethanë, veçanërisht kur ushtrohet ndaj zyrtarëve publikë, duke theksuar se kjo ngjarje tregon qartë mungesën e ligjit, sigurisë dhe drejtësisë në shtet.
“Kjo pasqyrë nuk i ngjan një shteti kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe rrënon çdo të arritur deri më tani”, thekson më tej Aleanca për Shqiptarët.
Partia kërkon reagim urgjent nga organet e rendit dhe drejtësisë: “Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria që urgjentisht dhe në mënyrë efikase të zbardhin këtë rast, të sanksionojnë dhunuesit dhe të dëshmojnë se nuk janë në mbrojtje të dhunës e të krimit.”
Në fund, Aleanca shpreh shqetësimin për pasigurinë në vendbanimet shqiptare në kryeqytet:
“Veçanërisht vendbanimet shqiptare duhet urgjentisht të çlirohen nga pasiguria, nga uzurpimet dhe nga mafia urbane që ka shndërruar në geto lagjet më të bukura të kryeqytetit.”
















