Pas 62 viktimave në Koçan, “Kush e ka radhën”, pyet: Kur do të ketë përgjegjësi?”
Nisma qytetare “Kush e ka radhën?” ka vendosur një transparent simbolik përballë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me pyetjen e drejtpërdrejtë: “Kur Komisioni Mbikëqyrës?” – duke kërkuar me ngulm formimin e këtij trupi parlamentar pas tragjedisë në Koçan që mori 62 jetë njerëzish, shkruan Portalb
“Kur Komisioni Mbikëqyrës? – është pyetja që të gjithë e kemi bërë për 125 ditë, 3,000 orë dhe 10,800,000 sekonda, nga Koçani në Shkup dhe anasjelltas,” thuhet në kumtesën e nismës qytetare.
Sipas aktivistëve, deputetët janë zgjedhur për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe jo për të heshtur para kërkesave për përgjegjësi institucionale.
“Deputetët zgjidhen për të mbrojtur interesat e qytetarëve, jo për të heshtur kur duhet të vendoset kontroll mbi institucionet dhe për të qenë bashkëpunëtorë në krijimin e një sistemi pa kontroll dhe drejtësi,” shtojnë nga “Kush e ka radhën?”.
Ata theksojnë se formimi i komisionit nuk është vetëm një çështje procedurale, por thelbësore për funksionimin demokratik dhe përballjen me të kaluarën tragjike.
“Pyetja ‘Kur do të formohet komisioni mbikëqyrës?’ nuk është një pyetje teknike, por një çështje lirie, demokracie dhe mbrojtjeje nga abuzimi. Prandaj, jo vetëm që pyesim vazhdimisht, por edhe kërkojmë! Komisioni mbikëqyrës është një borxh ndaj 62 jetëve të humbura, jo llogaritje partiake dhe favore politike. Populli sheh dhe nuk harron!”, deklaron iniciativa qytetare.
Gjithashtu, përpara zyrave të Prokurorit Publik, aktivistët ekspozuan pjesë nga hulumtimi i publikuar nga IRL, ndërsa iu drejtuan deputetëve me pyetjen se si do të vepronin pas thirrjes publike për një seancë mbikëqyrëse – një kërkesë e nënshkruar nga mbi 5,000 qytetarë.
“Të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së bënë deklarata tronditëse – se nuk janë përgjegjës ndaj votuesve, por ndaj partisë,” përmendet në kumtesë.
Më 24 qershor, kur u mbushën saktësisht 100 ditë nga tragjedia në Koçan, “Kush e ka radhën?” vendosi 100 mesazhe pakënaqësie në qendër të Shkupit dhe para institucioneve kryesore – një për çdo ditë heshtjeje, papërgjegjshmërie dhe mosveprimi nga ana e autoriteteve.
Tragjedia ndodhi natën mes 15 dhe 16 marsit, kur shpërtheu një zjarr i madh në një lokal nate në qytetin e Koçanit. Si pasojë, humbën jetën 62 persona, ndërsa rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 34 personave, përfshirë tre kompani të pronarit të diskotekës, i cili konsiderohet i pandehuri kryesor. Ata akuzohen për veprime ose mosveprime që çuan në katastrofën e 16 marsit.
















