Politikat e paperspektivë nxisin apatinë rinore – Të rinjtë në Maqedoni nuk besojnë në integrimin evropian
Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut mbeten formalisht pro Bashkimit Evropian, por gjithnjë e më shumë skeptikë ndaj realitetit të integrimit të vendit. Një anketë e fundit e realizuar nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike në bashkëpunim me aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, zbulon një krizë të thellë të besimit tek perspektiva evropiane dhe tek institucionet vendore që duhet ta mundësojnë atë.
Sipas të dhënave të anketës, vetëm 41% e të rinjve në vend kanë një qëndrim pozitiv ndaj Bashkimit Evropian, ndërsa 24% kanë një qëndrim negativ, dhe 35% mbeten neutralë. Këto të dhëna tregojnë se, ndonëse shumica nominalisht mbështesin BE-në, përfshirja emocionale dhe lidhja me vlerat evropiane janë në rënie.
Akoma më shqetësuese është perceptimi i të rinjve për vetë perspektivën e anëtarësimit:
- 46.5% nuk besojnë fare se Maqedonia e Veriut do të bëhet ndonjëherë pjesë e BE-së.
- 35.8% e konsiderojnë integrimin të mundshëm, por vetëm në një të ardhme të largët.
- Vetëm 6.7% janë optimistë se integrimi mund të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme.
Këto shifra flasin për një zhgënjim të thellë politik, i cili rrezikon të shndërrohet në pasivizëm qytetar dhe emigrim të vazhdueshëm të rinisë.
Korrupsioni, arsyeja kryesore e bllokadës
Në pyetjet mbi pengesat kryesore për integrimin në BE, 84.6% e të rinjve identifikojnë korrupsionin si faktor kyç, i ndjekur nga:
- Konfliktet bilaterale (61%), si pengesë e jashtme;
- Mungesa e besimit në institucionet vendore (60%), si një pengesë e brendshme.
Kjo panoramë përforcon idenë se të rinjtë nuk e konsiderojnë më BE-në thjesht një destinacion politik, por një shans për jetë më të mirë, të lidhur drejtpërdrejt me shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit.
Shqipëria, më afër BE-së sipas të rinjve maqedonas
Kur u pyetën se cilat vende nga Ballkani Perëndimor janë më afër anëtarësimit në BE brenda pesë viteve të ardhshme, të rinjtë maqedonas dhanë këtë renditje:
- Shqipëria (53.2%)
- Mali i Zi (34.5%)
- Serbia (14.7%)
- Maqedonia e Veriut (vetëm 8.2%)
Kjo renditje përbën një sinjal alarmi për institucionet vendore, pasi tregon jo vetëm humbje të shpresës, por edhe perceptim të thelluar se vendi është pas në garën evropiane.
Politikat e paperspektivë nxisin apatinë rinore
Të dhënat e publikuara kërkojnë masa urgjente dhe hapa konkretë nga qeveria dhe parlamenti në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e kushteve reale që e lidhin perspektivën evropiane me përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.
Pa reforma reale dhe komunikim të sinqertë me rininë, politikave qeveritare për euro-integrim do t’u mungojë jo vetëm përmbajtja, por edhe mbështetja publike.
















