Prokuroria kërkon burg të përjetshëm për vrasjen e Vanjës dhe Pançes
Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar sot dënim maksimal me burgim të përjetshëm për katër të akuzuarit në rastin tronditës të vrasjes së Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit.
Në fjalën përfundimtare gjatë seancës gjyqësore, prokurorja Ana Stojkoviç Dimitrovska deklaroi se Ljupço Palevski, Vlatko Keshishev, Bore Videvski dhe Velibor Manev duhet të dënohen me burgim të përjetshëm, ndërsa për Aleksandar Gjorçevskin – babain e Vanjës, gjithashtu i akuzuar në këtë rast – kërkoi dënimin përkatës me burg, sipas rolit dhe përgjegjësisë së tij në krim.
“Deklaratat e të akuzuarve para Prokurorisë nuk përputhen me ato të dhëna në gjykatë dhe as me provat materiale. Nuk ka rrethana lehtësuese. Të gjithë janë të rritur, janë prindër dhe kanë synuar të kenë ndikim politik. Përmes mohimeve dhe manipulimeve, ata po traumatizojnë jo vetëm familjet e viktimave, por edhe opinionin publik,” tha prokurorja.
Ajo shtoi se për veprën penale të vrasjes, Kodi Penal parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm, ndërsa mungesa e motivit nuk është arsye për mosdënim:
“Motivi nuk ka nevojë të përcaktohet. Ajo që ka rëndësi është qëndrimi subjektiv i kriminelit ndaj aktit të kryer. Marrja e jetës së një fëmije është e patolerueshme.”
Seanca përfundimtare u mbajt nën masa të larta sigurie, ndërkohë që opinioni publik po ndjek me shqetësim zhvillimet rreth këtij rasti të rëndë, i cili ka tronditur vendin.
















