Protesta te Spitali i Tetovës – Kryeinfermierja Zaimi: Është vonuar vetëm paga e prillit, jo 3 muaj
Punonjësit shëndetësorë të Spitalit Klinik të Tetovës vazhduan sot protestën e tyre përballë objektit të këtij institucioni, duke kërkuar zgjidhje për vonesat në pagesat e rrogave dhe statusin e tyre të pasigurtë, transmeton Flaka Media. Edhe pse pritej një prononcim nga drejtori Agim Berisha, ai nuk doli para mediave, duke autorizuar kryeinfermieren Dita Zaimi që të japë deklaratë në emër të institucionit.
Zaimi sqaroi se drejtoria është në dijeni për shqetësimet e punonjësve dhe u bëri thirrje atyre që të formojnë një grup pune dhe kërkesat t’i adresojnë me shkresë zyrtare, në mënyrë që të mund të trajtohen institucionalisht.
Ajo mohoi pretendimet se punonjësit nuk kanë marrë paga për tre muaj me radhë.
“Se tre rroga nuk janë marrë, nuk është e vërtetë. Nuk kanë marrë vetëm pagën e prillit, domethënë muaji maj sapo ka përfunduar… Edhe ne i marrim pagat deri më 15, ata zakonisht i kanë marrë një ose dy ditë para ose pas nesh. Pra, tani me 15 vjen paga,” deklaroi Zaimi.
Pavarësisht sqarimeve, punonjësit thanë se do të vazhdojnë protestën derisa kërkesat e tyre të marrin zgjidhje konkrete. Ata kërkojnë pagesën e rregullt të pagave, status të qartë punësimi dhe respektim të të drejtave të tyre ligjore. Flaka Media
















