Qeveria: Janë siguruar 50 milionë denarë për nxënësit e rinj në arsimin e mesëm dual
Si pjesë e përkushtimit për përmirësimin e arsimit profesional dhe uljen e papunësisë tek të rinjtë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ka ndarë 50 milionë denarë për 1570 bursa për nxënësit që nga shtatori do të regjistrohen në paralelet e arsimit të mesëm dual.
“Në vitin shkollor 2025/2026, nxënësit që do të regjistrohen në paralelet duale dhe do t’i plotësojnë kushtet e konkursit, do të marrin nga 3.500 denarë në muaj për një periudhë prej 9 muajve,” thuhet në njoftimin zyrtar të Qeverisë.
Sipas Qeverisë, masa është pjesë e strategjisë për të motivuar të rinjtë të ndjekin arsimin profesional dhe për të përgatitur kuadro të aftë për nevojat reale të tregut të punës.
“Sektori real ka nevojë për kuadro të kualifikuara, profesionale. Prandaj, si Qeveri, përmes këtyre masave dhe hapave, po i stimulojmë të rinjtë që ta vazhdojnë arsimin e tyre në njërën nga paralelet duale,” theksohet më tej në komunikatë.
Një nga elementet më të rëndësishme të këtij programi është edhe përfshirja e sektorit privat në trajnimet praktike. Plot 550 kompani nga e gjithë vendi do të jenë të angazhuara drejtpërdrejt në procesin mësimor përmes trajnimeve në vendet e tyre të punës.
“Përmes kësaj mase, po e zhvillojmë bashkëpunimin me sektorin real dhe po krijojmë mundësi që nxënësit, pas përfundimit të shkollës së mesme, nëse nuk vazhdojnë studimet, të mund të punësohen në ndonjërën nga këto kompani,” thuhet në njoftim.
Kjo masë vlerësohet edhe si një mjet konkret për uljen e papunësisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së të rinjve në tregun e punës, përmes përvetësimit të aftësive praktike.
“Arsimi është shtylla më e rëndësishme e zhvillimit të Maqedonisë. Përmes një arsimi cilësor dhe të reformuar, të rinjtë do të qëndrojnë për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në Maqedoni,” përfundon deklarata.
Qeveria njofton se kjo është vetëm një nga shumë masat që do të ndërmerren gjatë mandatit për të rikthyer shpresën te të rinjtë dhe për ta ndërtuar një të ardhme të denjë në vendin e tyre.
“Përkushtimi ynë është të sigurojmë një të ardhme për të gjithë dhe ta rikthejmë shpresën te të rinjtë. Shteti është në rrugën e ndryshimeve,” përmbyllet deklarata. Flaka Media
















