Regjistrim i automjeteve në gjithë territorin – Kuvendi miraton ndryshimet ligjore
Me 64 vota “pro”, pa asnjë kundër apo të përmbajtur, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut miratuan sot, pa debat, Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për automjetet, në procedurë të shkurtuar.
Sipas ndryshimeve të reja, lehtësohet procesi i regjistrimit të automjeteve, duke u dhënë mundësi stacioneve të kontrollit teknik të lëshojnë vërtetim për regjistrimin e automjetit, në bazë të kritereve të caktuara më herët. Automjeti do të identifikohet përmes vulës në lejen e qarkullimit, ndërsa regjistrimi do të mund të bëhet në të gjithë territorin e vendit, dhe jo vetëm në vendbanimin e pronarit, siç ishte deri tani.
Gjatë pasdites, deputetët vazhduan punimet në disa seanca parlamentare: konkretisht në seancat e 43-të, 51-të, 55-të, 59-të dhe 60-të.
Në kuadër të seancës së 60-të, Kuvendi përfundoi debatin e përgjithshëm për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Policinë, në lexim të parë, duke e dërguar atë për shqyrtim në lexim të dytë në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri dhe Komisionin Legjislativ-Juridik.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë paraqitjes së tij në Kuvend sqaroi se:
“Ndryshimet që propozojmë nuk janë të mëdha, por janë të rëndësishme. Ato përfaqësojnë një vazhdimësi logjike të Ligjit të ri për Punët e Brendshme dhe sigurojnë harmonizim me konceptin e ri të organizimit dhe menaxhimit në polici.”
Ai theksoi se këto ndryshime janë të domosdoshme për funksionim më efikas të strukturave policore, duke u përshtatur me nevojat e sigurisë moderne dhe të drejtësisë.
















