Regjistrimi i të porsalindurve dhe caktimi i kurorëzimeve do të bëhet online
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka njoftuar një sërë masash dhe projekte të reja që synojnë përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet publike, përmes digjitalizimit dhe përfshirjes gjithëpërfshirëse, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara.
Në një deklaratë për media, Andonovski bëri të ditur se së shpejti do të hapen terminalet e shërbimeve publike, të cilat do të ofrojnë qasje të drejtpërdrejtë në shërbimet bazë për qytetarët, si dhe paralajmëroi ligj të ri për qasjen e personave me aftësi të kufizuara në faqet zyrtare dhe aplikacionet mobile të institucioneve shtetërore.
“Numri i shërbimeve digjitale është rritur në 120 vetëm brenda një viti, dhe me këtë është ulur ndjeshëm edhe numri i qytetarëve që presin në sportele”, theksoi Andonovski.
Sipas tij, kjo qasje ka ndikuar pozitivisht në rritjen e përdorimit të platformave elektronike:
“Numri i transaksioneve është rritur nga 1.000 në 6.000 në muaj. Kjo tregon qartë se qytetarët i përdorin gjithnjë e më shumë shërbimet digjitale,” tha ai.
Ministri shtoi se shumë shërbime që aktualisht kërkojnë prezencë fizike do të zhvendosen në platformën elektronike kombëtare – uslugi.gov.mk.
“Detyra jonë është të transferojmë të gjitha shërbimet nga zyrat fizike në platformën online – dasmat, regjistrimi i të porsalindurve, madje edhe caktimi i dasmave. Një nga premtimet tona ishte digjitalizimi i regjistrimit të të porsalindurve, dhe deri në fund të vitit do ta realizojmë këtë,” tha Andonovski.
Ai gjithashtu njoftoi se është në zhvillim një aplikacion qeveritar mobil, i cili do t’u ofrojë qytetarëve akses të plotë në shërbimet publike përmes telefonit.
“Me aplikacionin qeveritar, synojmë që çdo qytetar të ketë në dorë të gjitha shërbimet – nga kujdesi shëndetësor deri te administrata. Aplikacioni do të përfshijë edhe versionin elektronik të kartës së identitetit dhe patentës së shoferit,” deklaroi ai.
Ky zhvillim vjen në kuadër të strategjisë së Qeverisë për të rritur efikasitetin administrativ, për të përmirësuar përvojën e qytetarëve dhe për të sjellë inovacion digjital në jetën e përditshme.
Flaka
















